Insajderi
Analiza

“Nxjerri pesë mijë euro dhe bjermi”- Afera me tokën e RTP’së, Prokuroria përshkruan një takim të Qehajës me Slavica Mikiq

Insajderi
03 November 2025 - 13:47
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Nxjerri pesë mijë euro dhe bjermi”- Afera me tokën e RTP’së, Prokuroria përshkruan një takim të Qehajës me Slavica Mikiq
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj Shkumbin Qehajës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbuluar detaje të reja që ndërlidhen me takime dhe transaksione të dyshuara mes të pandehurve të përfshirë në rastin e falsifikimit të pronave publike në Veternik.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, ekziston dyshimi i bazuar se Qehaja është takuar në një kafiteri në lagjen Ulpiana të Prishtinës me të pandehurit Slavica Mikic dhe Venhar Hana, ku janë koordinuar për autorizimet ligjore që duhej t’i jepeshin avokatit Hana nga Mikic, lidhur me procesin e regjistrimit të një prone publike në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria thotë se ky takim është dëshmuar nga dëshmitarë bashkëpunues, të cilët kanë përshkruar rolin e Qehajës si ndërmjetës në këtë proces, si dhe përfshirjen e tij në përfitime financiare pas shitjes së pronës në fjalë.

Në kërkesë citohet edhe deklarata e të pandehurës Slavica Mikic, e cila ka rrëfyer se pas shitjes së pronës është kontaktuar nga Qehaja për t’i dorëzuar atij një shumë parash.

“Pas një kohe, te restoranti … ishte ulur Shkumbin Qehaja dhe unë duke kaluar më tha: ‘Ty t’prita’. E pyeta ‘për çka?’ dhe ai më tha: ‘Shko nxirre 5 mijë euro prej bankës edhe bjermi’. Unë shkova te pika e … te Qafa dhe bëra tërheqjen prej 5 mijë eurove, të cilat ia dorëzova Shkumbinit”, thuhet në deklaratën e Mikiq dhënë në Polici dhe në Prokurori.

Në të njëjtën kërkesë, Prokuroria përfshin edhe deklaratën e të pandehurit Dritmir Islami, i cili ka treguar për një marrëdhënie financiare të dyshimtë me Qehajën.

Sipas Prokurorisë, Islami ka deklaruar se Qehaja e kishte thirrur në një kafene në lagjen Ulpiana, ku i kishte kërkuar që së bashku me Slavica Mikic të shkonin në bankë për të tërhequr shuma të ndryshme të parave dhe t’ia dorëzonin atij.

Islami ka rrëfyer se fillimisht kishte një borxh personal prej 6 mijë euro ndaj Qehajës, por më vonë ishte detyruar të tërhiqte rreth 180 mijë euro në emër të këtij borxhi dhe t’ia dorëzonte Qehajës.

Prokuroria e cilëson këtë si pjesë të një skeme më të gjerë për pastrim parash dhe përfitim të kundërligjshëm, që lidhet me shitjen e pronës publike në Veternik. Sipas Prokurorisë, kjo pronë kishte vlerën rreth 16 milionë euro.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Shkumbin Qehaja gjatë vitit 2021-2022 në Prishtinë, në bashkëkryerje me të dyshuarit Dritmir Islami, Venhar Hana dhe Sllavica Mikiq, pas një marrëveshje, e kanë falsifikuar tërësisht aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, të datës 28 prill 1976.

Gjithashtu, thuhet se gjatë kontrollit/bastisjes që i është bërë në shtëpinë e të dyshuarit, në një shportë të mbeturinave i është gjetur një armë- pistoletë dhe 103 fishekë.

Me këto veprime, i pandehuri Shkumbin Qehaja në bashkëkryerje me të dyshuarit: Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Sllavica Mikiq dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 390, par. 3 lidhur me par.1, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll pse posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 395 i Kodit Penal.

Avokati Hana ka qenë subjekt i hulumtimit të rastit të një prone milionëshe në “Veternik”, për të cilën ka raportuar në vazhdimësi Gazeta Insajderi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark