LDK ka reaguar pasi Kurti ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës, duke thënë se është bërë e qartë që asnjë prej partive politike s’e ka shumicën e nevojshme për të krijuar Qeverinë e re.
Sipas LDK, përpjekjet për shtyrje procedurale e thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se është bërë qartazi e dukshme për opinionin publik dhe për të gjitha subjektet parlamentare se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re. Në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.”
“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”.