Insajderi
Lajme

Raporti i Progresit: Vetëm 8 raste korrupsioni të nivelit të lartë u mbyllën në 2024, dënimet mbeten shumë të buta

Insajderi
04 November 2025 - 16:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raporti i Progresit: Vetëm 8 raste korrupsioni të nivelit të lartë u mbyllën në 2024, dënimet mbeten shumë të buta
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, Komisioni Evropian vlerëson se lufta kundër korrupsionit në nivel të lartë ka shënuar disa përmirësime, por thekson se ende mungon një qasje e qëndrueshme dhe efektive në luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet.

Sipas raportit, “regjistri i ndjekjes penale dhe gjykimit është përmirësuar për çështjet e nivelit të lartë, veçanërisht në lidhje me numrin e vendimeve përfundimtare dhe dënimeve, por numri i hetimeve dhe dënimeve përfundimtare në çështjet jo të nivelit të lartë është ulur.”

“Për çështjet e nivelit të lartë, aktakuzat dhe dënimet përfundimtare u trefishuan, ndërsa vendimet përfundimtare të gjykatave u më shumë se dyfishuan,” thuhet më tej në raport.

Komisioni Evropian thekson se në vitin 2024 pati vendime gjyqësore përfundimtare në tetë raste korrupsioni të nivelit të lartë.


Megjithatë, problemet vazhdojnë përfshirë zgjatjen e tepërt të gjykimeve dhe butësinë e dënimeve.


“Në të njëjtën kohë, gjykatat po aplikojnë gjithnjë e më shumë dënime plotësuese, gjë që konsiderohet një zhvillim inkurajues,” shton raporti.

Një tjetër pikë e rëndësishme që theksohet është nevoja për përparim sistematik në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.


Raporti përmend Zyrën e Rimëkëmbjes së Aseteve (ZRSH), e cila u themelua vitin e kaluar brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke vlerësuar se kjo zyrë ka trajtuar me sukses disa kërkesa në vitin e parë të funksionimit, duke rezultuar në rikuperimin e aseteve jashtë vendit.


Sidoqoftë, Komisioni thekson se ZRSH-së duhet t’i ndahen më shumë burime njerëzore dhe financiare për të qenë plotësisht efektive.

“Pavarësisht deklarimeve për angazhim politik, nuk ekziston ende një qasje koherente ndaj korrupsionit,” thuhet në raport.


Sipas BE-së, Kosova duhet t’i përdorë më mirë ligjet ekzistuese, përfshirë Ligjin për Konfiskimin, dhe të forcojë mjetet parandaluese si deklarimi i pasurisë dhe planet e integritetit të institucioneve publike, për të identifikuar dhe luftuar më thellë rrënjët e korrupsionit.

Në fund, Komisioni Evropian rekomandon që Kosova të:

Forcojë kapacitetin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke rritur stafin dhe ekspertizën profesionale;

Zbatojë me përpikëri legjislacionin ekzistues;

Dhe të miratojë një strategji kombëtare dhe plan veprimi për luftën kundër korrupsionit 2025–2025, në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark