Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për fitore në balotazh.
Nga kjo mbledhje është konfirmuar qëndrimi i partisë se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës institucionale në vend.
PDK vlerëson se dhënia përsëri e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për formimin e qeverisë “përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale”, pasi tashmë është e qartë se askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.
Në mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, ndërsa u theksua se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është mënyra e vetme për t’u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për të dhënë legjitimitet institucioneve të reja.
Partia thekson se kriza e stërzgjatur politike, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dëmtuar çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që qytetarët të mbeten pa paga vitin e ardhshëm, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja.
Kryetari Memli Krasniqi shprehu mirënjohje për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të PDK-së, duke theksuar se partia ka arritur rikthimin në vendin e parë pas 12 vitesh sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale, me 187.526 vota dhe 206 ulëse gjithsej në Kuvendet Komunale, duke lënë pas partitë e tjera.
Në këto zgjedhje lokale, PDK ka rritur numrin e votave në total për kandidatët për kryetarë komunash, duke u renditur e dyta, si dhe ka fituar në tri komuna: Ferizaj, Skënderaj dhe Han i Elezit, që në raundin e parë.
Në fund, kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK është në garë, gjatë ditëve të mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit.