Insajderi
Hulumtime/Analiza

Raportimi i Insajderit / OSHP anulon kontratën milionëshe të KEK-ut pasi gjeti shkelje të ligjit, dyshohet se është favorizuar konsorciumi me kompaninë kineze

Insajderi
12 November 2025 - 15:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi i Insajderit / OSHP anulon kontratën milionëshe të KEK-ut pasi gjeti shkelje të ligjit, dyshohet se është favorizuar konsorciumi me kompaninë kineze
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka konstatuar një sërë shkeljesh në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me vlerë të parashikuar mbi 3.2 milionë euro, për “Rehabilitimin e kullës ftohëse në TC Kosova B”.

Gazeta Insajderi ka raportuar se me 14 gusht, se ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K, e kompania kineze JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD, fituan kontratën në vlerë prej 2,598,714.00.

Tenderi kishte të bënte me “Rehabilitimin e kullës ftohëse në Termocentralin Kosova B”.

Por, tashmë OSHP ka anuluar vendimin e KEK-ut për shpërblim të këtyre operatorëve dhe ka urdhëruar rivlerësim të tenderit.

Operatori më i lirë u eliminua, u shpërblye ai më i shtrenjti

Sipas dokumenteve të OSHP-së, KEK kishte eliminuar ofertuesin më të lirë– megjithëse komisioni i parë i vlerësimit e kishte rekomanduar për kontratë.

Pas dy muajsh, autoriteti kontraktues kishte formuar një komision të ri vlerësimi, i cili e kishte përmbysur vlerësimin paraprak dhe kishte shpërblyer me kontratë grupin ECO CLEAN Corporation sh.p.k. dhe JiangXi ARK Science Fluid Technology Co. LTD, ofertë e cila ishte rreth 200 mijë euro më e shtrenjtë.

Sipas ankesës KEK përdori standarde te dyfishta.

“Ky ndryshim tregon se vlerësimi nuk është kryer në mënyrë transparente dhe të barabartë siç kërkon neni 59 i LPP-së dhe se Autoriteti Kontraktues ka bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Komisioni i ri-vlerësimit ka përdorur standarde te dyfishta dhe diskriminuese për GOE ofertues. “

Shkeljet kryesore të konstatuara nga OSHP

Në vendimin e publikuar, Paneli thekson se ka vlerësuar “në mënyrë të pavarur dhe objektive, me ndërgjegje dhe kujdes profesional” të gjitha provat e rastit, përfshirë shkresat e Autoritetit Kontraktues, parashtresat e operatorëve ekonomikë dhe raportin e ekspertit shqyrtues.

“Në këtë mënyrë është gjetur se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurimin publik dhe kërkesat e dosjes së tenderit lidhur me aktivitetin e prokurimit Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B me numër të prokurimit KEK-24-7524-5-1-1“, thuhet në vendim.

Paneli ka gjetur se KEK nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore dhe kërkesat e dosjes së tenderit, duke konstatuar se janë shkelur nenet 113 dhe 114 të LPP-së.

Vendimi i OSHP-së thekson gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimeve të transparencës, paanshmërisë dhe mosdiskriminimit në të gjitha procedurat e prokurimit publik, si dhe përgjegjësinë ligjore të zyrtarëve që merren me menaxhimin e këtyre proceseve.

Operatori i shpërblyer kishte mangësi serioze teknike

Në anën tjetër, OSHP ka gjetur se oferta e grupit të shpërblyer ECO CLEAN & JiangXi ARK kishte disa mangësi.

Operatori fitues ka ofruar garancion vetëm 12 muaj, ndërsa kërkesa ishte 24 muaj pas komisionimit.

Në vendimin e saj përfundimtar, OSHP rendit qartë edhe nenet e shkelura nga KEK:

  1. Neni 7 – Parimi i trajtimit të barabartë dhe transparencës
  2. Neni 59 – Ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve: u përdorën kritere që nuk ishin pjesë e dosjes së tenderit (si pronësia e kompanisë ose logoja).
  3. Neni 60 – Kriteret për dhënien e kontratës: u shpërblye një ofertë më e shtrenjtë, ndonëse ekzistonte ofertë më e lirë dhe e përgjegjshme.
  4. Neni 65 – Pranueshmëria e operatorëve: eliminimi u bë pa prova se operatori i përjashtuar ishte i papërshtatshëm sipas ndonjë arsye ligjo

Në përfundim, OSHP ka vendosur që vendimi i KEK-ut të anulohet dhe aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

“KEK të raportojë brenda 10 ditësh për veprimet e ndërmarra, përndryshe OSHP paralajmëron masa ndaj institucionit“, thuhet në vendim.

Insajderi, ka raportuar me 14 gusht, se ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K, e kompania kineze JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD, fituan kontratën në vlerë prej 2,598,714.00.

Grupi fitues ishte përzgjedhur ndër katër ofertuesit pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi.

Në njoftimin për kontratë, KEK ka sqaruar se rehabilitimi ishte paraparë të bëhet gjatë vitit 2026.

“Afatet kohore për fillimin dhe ose përfundimin e kontratës Prandaj Autoriteti Kontraktues (AK), në kuadrin e punëve të veta ka paraparë që gjatë vitit 2026, të bëjë rehabilitimin e kullës ftohëse. Projekti po iniciohet në këtë vit, ashtu që të ketë kohë të mjaftueshme për parapërgatitje dhe prodhimin e materialeve të nevojshme për rehabilitim. Koha eventuale ne dispozicion për kryerjen e punës ne terren Total 45 ditë kalendarike të dy njësit B1 dhe B2, do të jenë të ndalura në të njëjtën kohë. Orari i punës prej 6 30 deri me 20 30 ne dy ndërrime pa ndërprerje. Nëse OE konsideron se mund të punohet edhe më gjatë me ndihmën e reflektorëve (ndriçim artificialë) duhet të theksoj ne ofertë dhe të cek këtë orar. Nga ndalesa e tërësishme e dy blloqeve, AK i duhet të ketë ujë në kadë edhe 36 deri 48 ore (pra max 2 ditë) për procesin e ftohjes së turbines”, theksohet në dosje.

Kush janë kompanitë fituese?

“ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k kompaninë që KEK e shpërbleu kontratë, 20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang.

Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.

Gazeta Insajderi më parë kishte kontaktuar me kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. dhe ortaku i madh në firmë, Arbër Gashi i kishin thënë gazetës se Wenyun Yang është shtetase e Kinës, por me të janë takuar gjatë studimeve në Amerikë.

“Wenyun Yang është investitorë. Atë e kam takuar në Amerikë dhe kemi vendosur që të dertojmë një biznes në Kosovë. Unë nuk po shoh ndonjë problem këtu”, kishte deklaruar Gashi për Insajderin

Në anën tjetër edhe kompania tjetër hisedarë në këtë tender është kompani kineze.

JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., është një prodhues i njohur në kërkimin dhe zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve të ftohjes së ujit.

Sipas të dhënave në web-faqen e tyre del se produktet e tyre eksportohen jashtë vendit: si Koreja e Jugut, Koreja e Veriut, Kazakistani, Serbia, Vietnami, Tajlanda, Indonezia, Zambia, Rusia dhe Pakistani.

Pra nuk përmenden vendet evropiane.

Tashmë, kjo kontratë u anulua me vendim të OSHP-së.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark