Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për, siç thotë ajo, “goditje të re ndaj Radio Televizionit të Kosovës”, përmes transmetimit të një materiali me karakter propagandistik.
Në një postim në Facebook, Kusari ka theksuar se në Lajmet Qendrore të RTK-së është transmetuar kënga e këngëtares Adelina Ismajli, që i kushtohet veriut të vendit, vetëm një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas saj, qëllimi i këtij transmetimi ka qenë promovimi i të arriturave të Vetëvendosjes në atë pjesë të vendit.
“24 orë pas raportimit skandaloz për gjendjen buxhetore të RTK-së, VV godet me një material tjetër propagandistik të një niveli të ri. Një natë para zgjedhjeve lokale në Mitrovicë, në buletinin propagandistik qendror të RTK-së, është transmetuar kënga e Adelinës për veri, me pamje që synojnë të tregojnë të arriturat e VV-së”, ka shkruar ajo.
Kusari ka shtuar se kënga është promovuar brenda edicionit të lajmeve, gjë që sipas saj nuk ka ndodhur më parë.
“Fillimisht është paralajmëruar në lajme, pastaj është transmetuar e tëra në prime time. Paramendoni – këngë me pamje propagandistike politike në lajme”, ka theksuar ajo.
Juristja ka akuzuar më tej Lëvizjen Vetëvendosje për keqpërdorim të pushtetit dhe përdorim të transmetuesit publik si vegël politike.
Sipas saj, këngëtares Ismajli i është lejuar qasje në hapësira të RTK-së ku, siç thotë ajo, gazetarët nuk kanë leje të hyjnë.
“Për të realizuar spotin politik propagandistik, Adelinës i është dhënë qasje në hapësira të ndaluara për gazetarët. Këtë e kam konfirmuar me të paktën tre gazetarë kredibilë”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka përfunduar reagimin duke thënë se qeveria dhe Vetëvendosje “vazhdojnë të tallen me familjet e 700 punëtorëve të RTK-së duke i lënë pa paga”.