Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus në Prishtinë, ka reaguar pasi ministri Xhelal Sveçla, ka ndaluar një qytetar në rrugë pasi i ka penguar veshja që kishte që ishte me simbol të LDK-së.
“Kjo nuk lejohet, LDK te shkolla nuk lejohet, rreth shkollës nuk lejohet”, i tha Sveçla qytetarit.
Qytetari iu përgjigj: “Ti me më fotografu nuk lejohet, ministër duhesh me i ditë ligjet ma i mirë, shihemi në gjykatë Xhelal”.
Krasniqi tha se rregulli përfshin vetëm hapësirat e brendshme deri në rrethojat e saj.
“Sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj. Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi. Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse – jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit”.
Ai tha se ministri kërcënoi një qytetar edhe pse i njëjti nuk kishte bërë shkelje.
“Sot, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtare të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore. Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive. Në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë – jo ta zbehin atë kufi”, ka shkruar ai në “Facebook”.