Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka rikthyer në punë Agron Ramadanin, zyrtarin e lartë që ishte arrestuar më 2018-ën për falsfikim të diplomës së shkollës së mesme dhe asaj të arsimit të lartë. Ramadani tashmë është rikthyer në një pozitë të lartë në BQK, i cili ishte në listen e emrave të 40 të rekrutuarve në dy vitet të fundit nga institucioni kryesor financiar në Kosovë.
Gazeta Insajderi është interesuar të dijë se nëpër çfarë filtrash ka kaluar që Ramadani, i arrestuar për falsifikim të dy diplomave shumë të rëndësishme, të rikthehet në BQK. Nga ky institucion, ndonëse s’janë përgjigjur lidhur me verifikimin e diplomave, kanë thënë se vendimi është marrë pas pushimit të hetimeve ndaj tij.
“Lidhur me çështjen që keni ngritur, ju njoftojmë se kthimi në punë në pozitën ekuivalente me atë që kishte në momentin e pezullimit të përkohshëm është bërë pas aktvendimit të formës së prerë dhe të plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm me numër P.nr. 2591/19, pas të cilës ligjërisht kanë pushuar rrethanat mbi të cilat është marrë vendimi për pezullimin e të punësuarit”, thuhet në përgjigjen e BQK’së për Insajderin.
Para se të pezullohej, Ramadani mbante pozitën si Shef i Divizionit për Rishqyrtim dhe Ankesa. Megjithëkëtë, BQK’ja e ka kthyer Ramadanin në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit të Administratës dhe Logjistikës.
Ramadani ishte arrestuar më 2018-ën nën dyshimet se kishte falsifikuar diplomën e shkollës së mesme dhe atë të fakultetit. Në atë periudhë, Prokuroria Themelore në Prishtinë bënte të ditur se me ato diploma kishte kryer masterin në Universitetin e Strugës.
Madje, sipas hetimeve të Prokurorisë, me dy diplomat e falsifikuara Ramadani dyshohej se kishte arritur të avancohej në pozitën e drejtorit për Mbikëqyrje të Kompanive të Sigurimeve dhe Pensioneve në BQK.
Lista e siguruar nga Insajderi përfshinin emrat si në vijim: Herolind Lahu, Adelina Jakupi, Rinesa Bislmi, Imer Shevelli, Mërgim Hajrizi, Blerina Surdulli Gashi, Argjend Rexhaj, Agnesa Gashi Zeka, Dafina Hasani, Durime Haklaj, Gresa Baliu, Tanita Krasniqi, Lule Bahtiri, Agron Ramadani, Ertan Iliyaz, Besant Sahiti, Diellza Musa, Valmire Morina Tunaj, Naim Zeqiri, Shqipe Qerkini Grainca, Violla Begolli, Arbenita Demaku, Shkurta Obrazhda, Festa Kusari, Liridon Xërxa, Shpetim Manaj, Vlora Goqiqi Zeka, Blerta Hyseni, Albun Lufi, Fortesa Statovci, Zana Isufi, Elona Leci, Blerta Foniqi dhe Suzan Dervari.
Pra, në mesin e të rekrutuarve ishte edhe Agron Ramadani.
Insajderi kishte kërkuar qasje të plotë në dokumentet e konkurseve dhe arsyetimin e BQK-së për mënyrën se si janë bërë rekrutimet. Megjithatë, BQK-ja nuk i ka dhënë Insajderit qasje, duke argumentuar se procedurat dhe dokumentacioni për punësimet janë pjesë e autonomisë ligjore të institucionit dhe përfshijnë të dhëna personale të mbrojtura, të cilat nuk mund të bëhen publike sipas politikave të brendshme të BQK-së.
Derisa BQK-ja ka kryer këtë “operacion punësimesh”, del që institucioni po kërkon tash edhe një objekt të ri me qira për të vendosur pjesën e stafit të ri.
Burime të Insajderit nga brenda institucionit tregojnë se kërkesa për hapësira shtesë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e numrit të punonjësve gjatë dy viteve të fundit dhe nevojën për zyra shtesë për këshilltarët dhe departamentet e avancuara.
Gazeta Insajderi ka pyetur BQK-në se pse po kërkohet ky objekt dhe për kriteret e zgjedhjes së tij. Në përgjigjen e saj, BQK-ja ka thënë se “procesi i kërkimit dhe marrëveshjes për objekt me qira është duke u zhvilluar sipas nevojave institucionale dhe standardeve ligjore, duke garantuar që hapësirat e reja të plotësojnë kërkesat funksionale dhe sigurie për stafin dhe dokumentacionin e institucionit”, duke shmangur detaje të mëtejshme për lokacionin ose procedurat e ofertave publike.
Në media para disa vitesh ishte raportuar edhe se Ramadani kishte aktakuzë për kanosje gjatë mbajtjes së pozitës së drejtorit të Drejtoratit për Mbikqyrje të Kompanive të Sigurimeve dhe Pensioneve.
Çdoherë sipas këtyre raportimeve që citonin aktakuzën në fjalë, Ramadani thuhej se kërcënonte R.K lidhur me një borxh që ky i pari ia kishte këtij të fundit.
“Ik nga këtu rrugaq se nanën kom me ta q…, S’ki me jetu mo se të ndreqi unë ty, prit sa ta kryj takimin dhe shihemi më vonë, mos mu afro në 20 metra se të vras”, citohet të kenë qenë fjalët e të njëjtit. /Insajderi.org/