Insajderi
Lajme

Dyshime për përfshirjen e prokurorëve kosovarë në afera korruptive me grupin islamist “Vëllezërit e Gjenevës”– Prokuroria Speciale mohon akuzat

Insajderi
10 November 2025 - 16:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dyshime për përfshirjen e prokurorëve kosovarë në afera korruptive me grupin islamist “Vëllezërit e Gjenevës”– Prokuroria Speciale mohon akuzat
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se prokurorë kosovarë kanë marrë ryshfet nga grupe terroriste për të ndikuar në procese gjyqësore ndaj personave të akuzuar për terrorizëm.

Këto dyshime u ngritën pas një artikulli të publikuar në disa media zvicerane, që raportuan për një rrjet xhihadist në Zvicër, ku përmendeshin edhe dy hoxhallarë nga Kosova. Sipas raportimeve, ky grup dyshohet se kishte mbledhur fonde për të korruptuar zyrtarë të drejtësisë në Kosovë, me qëllim lehtësimin e dënimeve për anëtarët e tyre të përfshirë në aktivitete terroriste.

Reagimi i Prokurorisë Speciale

Në një përgjigje zyrtare për Gazetën Insajderi, Prokuroria Speciale ka deklaruar se pas verifikimeve dhe hetimeve të zhvilluara, pretendimet rezultojnë të pabazuara dhe të pavërteta.

“Gjatë vitit 2020 janë zhvilluar hetime, duke zbatuar edhe masa të veçanta hetimore, por nuk janë gjetur dëshmi për kryerjen e ndonjë vepre penale. Veprime hetimore janë ndërmarrë sërish gjatë këtij viti, por nuk është gjetur asnjë armë apo municion. Po ashtu, Prokuroria Speciale ka trajtuar edhe pretendimet në lidhje me korrupsionin, por nga hetimet e zhvilluara nuk është gjetur asnjë provë,” thuhet në përgjigjen e institucionit për Insajderin.

Sipas Prokurorisë, autoritetet zvicerane janë njoftuar zyrtarisht për të gjitha veprimet hetimore që janë ndërmarrë në lidhje me këtë rast.

“Vlen të theksohet se ekziston një aktgjykim fajësues ndaj A.R. dhe L.RXh. për veprën penale ‘Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist’. Autoritetet e Zvicrës, sikurse edhe më parë, janë njoftuar për të gjitha veprimet hetimore që janë ndërmarrë nga Prokuroria Speciale,” thuhet më tej në reagim.

Si i përdorën paratë e socialit të Zvicrës për t’i korruptuar prokurorët në Kosovë, sipas medimit zviceran?

Mediat zvicerane raportuan se rreth 10 mijë euro dyshohet se janë përdorur për të korruptuar prokurorë në Kosovë, me qëllim që dy anëtarë të një grupi të lidhur me ISIS-in të përfitonin dënime më të lehta.

Në Zvicër, Gjykata Federale Penale në Bellinzona pritet të zhvillojë në fillim të nëntorit një proces gjyqësor të përmasave të mëdha ndaj dy shqiptarëve me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe mashtrim me sigurimet shoqërore.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit Federal të Zvicrës, grupi i njohur si “Vëllezërit e Gjenevës”, me lidhje në Kosovë përmes “Vëllezërve të Vitisë”, kishte zhvilluar veprimtari xhihadiste dhe kishte mbledhur fonde që, ndër të tjera, dyshohet se janë përdorur për blerje armësh dhe përpjekje për të ndikuar në drejtësinë kosovare.

“Një shumë më e madhe, afërsisht 10,000 euro, dyshohet se është përdorur për të korruptuar prokurorët kosovarë që të kërkonin një dënim më të lehtë për dy anëtarë të grupit që i ishin bashkuar Shtetit Islamik në frontin Irak-Sirian”, shkruan konkretisht mediumi, 24 heures.ch.

Hetimet zvicerane kanë zbuluar gjithashtu se pjesëtarët e këtij grupi kanë përfituar përmes mashtrimeve me sigurimet shoqërore dhe kredive COVID-19, për të financuar aktivitetet e tyre.

Detaje nga hulumtimi

Sipas hulumtimit të mediumit zvicerane, dy burra nga Ballkani, një shtetas kosovar dhe një shtetas i dyfishtë zvicerano-maqedonas, akuzohen për mbështetje dhe financim të një grupi në Kosovë të lidhur me Shtetin Islamik, transmeton albinfo.ch. Gjyqi i tyre do të zhvillohet më 3 dhe 4 nëntor para Gjykatës Federale Penale në Bellinzona.

Të dy të përmendurit ndodhen prej tashmë tri vitesh në një burg të Vaud, shkruan tamedia.ch. Ata tani përballen me deri në dhjetë vjet burg, për akuzën kryesore për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste”.

Njëri prej të dyve, një 37-vjeçar kosovar, jetonte në kantonin e Gjenevës. Rreth dhjetë vjet më parë, ai frekuentonte Xhaminë e Madhe të Petit-Saconnex.

Sipas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Federal, ai dyshohet se ka ushtruar “ndikim vendimtar” brenda një grupi të ndarë të quajtur “Frères de Viti” (shq. “Vëllezërit e Vitisë”), i emërtuar sipas qytetit me këtë emër, në Kosovë. Që nga viti 2015, thuhet se ai ka udhëhequr degën e saj në Gjenevë, “Frères de Genève” (shq. “Vëllezërit e Gjenevës”), si “Emir”.

Ideologjikisht, kjo qelizë ishte afër Shtetit Islamik (ISIS), i cili ishte në kulmin e fuqisë së tij në Irak dhe Siri në atë kohë. Aktakuza e përshkruan orientimin e saj si “Salafist-xhihadist”. Në Gjenevë, thuhet se anëtarët e saj kanë mbledhur deri në 30 ndjekës. Midis tyre ishte edhe i konvertuari i Gjenevës, (zviceran) Daniel D., i cili më vonë iu bashkua Shtetit Islamik në Siri, shkruan tutje gazeta zvicerane. Për të thuhet se ndodhet atje, i burgosur.

Thuhet gjithashtu se “Vëllezërit e Gjenevës” u janë “afruar të rinjve të ndryshëm” për t’i rekrutuar si anëtarë të grupit. Një nga këta të rinj, i cili e refuzoi ofertën, ishte vetëm 14 vjeç.

Të pandehurit kanë sjellë të paktën tre imamë radikalë shqipfolës në Zvicër, të paktën njëri prej të cilëve kishte vuajtur dënimin me burg. Këtu përfshihej Rexhep Memishi, i cili përshkruhet si “mentori ideologjik” i grupit. Ai ka qëndruar në burg në Maqedoni nga viti 2015 deri në vitin 2022 pasi qe dënuar për rekrutimin e luftëtarëve për Shtetin Islamik, përcjell albinfo.ch. Thuhet se ai ka vazhduar të frymëzojë “Vëllezërit e Gjenevës” edhe nga burgu.

Qëndrim Jashari, një tjetër imam radikal i ftuar në Gjenevë nga grupi, thuhet se ka lexuar një tekst nga një zëdhënës i Shtetit Islamik në një takim në Gjenevë.

Për më shumë rreth këtij artikulli mund të gjeni këtu:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark