Ministrja në detyrë e Kurtit, Rozeta Hajdari, insisonte në mbrojtje të hajnisë që bëhej në rezervat shtetërore. Një proces që sipas ligjeve do duhej të bëhej përmes procedurës së hapur publike, Hajdari dhe “klika” insistonin që ta kthenin në sekret shtetëror. Gazeta Insajderi ka siguruar dëshminë e Ekrem Avdylit, udhëheqës i Divizonit të Rezervave Shtetërore në MINT, i cili qet në pah presionin e ministres dhe insistimin me çdo kusht që rezervat shtetërore të kalojnë si sekret shtetëror.
Në dosjen e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se Hajdari dhe të tjerët dëmtuan buxhetin shtetëror në vlerë prej afro tre milionë euro, përmes pagesës ekstra të transportit dhe mos-sjelljes së produkteve të kontraktuara nga kompania polake.
Hetuesia ka marrë në pyetje edhe Avdylin si udhëheqës të Divizonit të Rezervave Shtetërore, i cili ka folur për disa biseda që ka pasur me Rozeta Hajdarin pas arrestimit të Hafiz Garës e Irfan Lipovicës.
Hajdari, siç thotë dëshmitari, thotë se si shkak i tij dhe Adem Krasniqit, zyrtar në këtë departament, Lipovica e Gara janë në burg.
“Pastaj, siç deklaron dëshmitari, ministrja e ka pyetur rreth punës së Komisionit dhe nëse ky kishte marrë pjesë në Komision, duke i thënë fjalët “Ju, duke e përfshirë edhe Adem Krasniqin, nuk e keni ndihmuar Hafizin dhe Irfanin në proces dhe për këtë arsye ata janë në burg”. Lidhur me këtë dëshmitari deklaron se pas fjalëve të ministres, asaj i ka sqaruar se nuk ishte e vërtetë se këta e kanë sabotuar punën e atyre, por e vërteta qëndron se nuk kanë qenë të ftuar fare në takimet e Komisionit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Në një moment, ajo thotë se Krasniqin e Avdylin e ka kërcënuar me largim nga puna. Avdyli thotë se kishte dyshimet e tij se largimin nga puna të këtyre dyve e donte edhe Ridvan Muharremi, “kuzhinieri” i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
“Ju moti keni filluar me këto kërcënime dhe shtrëngime dhe Hafizi më ka thënë se atij i kishit thënë me më largu nga puna, bile i kam thënë se ai far “Ridi” që po përmendet në media, i kishte kërkuar Hafizit që të na largoj nga puna mua dhe Adem Krasniqin”, citohet t’i ketë thënë dëshmitari ministres Hajdari.
Dëshmitari thotë se e ka pyetur Rozeta Hajdarin pse s’e ka konsultuar zyren ligjore paraprakisht për këto procedura, teksa Hajdari citohet t’i ketë thënë “çfarë zyre ligjore, krejt llama janë”.
Në fund dëshmitari ka deklaruar se nga ky rast ishte një presion i vazhdueshëm në MINT dhe për këtë arsye kishte pasur probleme shëndetësore dhe vazhdon ende të këtë. /Insajderi.org/