Ekonomia e Kosovës është rritur për 3.6 për qind dhe kjo po konsiderohet nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, si rritja më e lartë.
Sipas ministrit kjo tregon se ekonomia e Kosovës është vendosur në një trend afatgjatë të rritjes, pasi rritja po vjen nga sektori privat dhe nga prodhimi.
Hoti tha se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku konsumi ka qenë nxitësi kryesor i rritjes, gjatë vitit 2015 rritja ka ardhur në veçanti nga investimet private të nxitura nga MSA dhe politika tatimore.
“Investimet e jashtme gjatë vitit 2015 kanë qenë mbi 320 milion euro, krahasuar me 151 milion euro gjatë vitit 2014”, ka thënë Hoti.
Kreditimi i sektorit privat sipas ministrit Hoti, ka pasur rritjen më të lartë në tri vitet e fundit, me një rritje vjetore prej 7.5 për qind.
Kreditë e këqija, sipas tij, kanë rënë nën 6 për qind, krahasuar me mbi 8 për qind sa kanë qenë një vit më parë.
“Pavarësisht kësaj, disbalancet në tregtinë e jashtme vazhdojë të mbeten sfidë për ekonominë tonë. Deficiti tregtar i lartë është i paracaktuar nga baza eksportet e ulëta dhe të koncentruar, ndërsa importet kryesisht përbëhen nga mallrat e konsumit të cilat mund të zëvendësohen nga prodhimi vendas”, ka shkruar në Facebook Hoti.
Ministri Hoti ka bërë të ditur edhe masat fillestare të cilat janë vënë në funksion për ta eliminuar këtë dukuri.