Insajderi
Hulumtime/Analiza

Monopoli i tenderëve në Shtime – Qemajl Aliu i bën gati edhe dy kontrata firmës së nipit të asamblistit të VV-së, dyshohet se kompania i ka hartuar vetë specifikat

Insajderi
13 November 2025 - 14:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Monopoli i tenderëve në Shtime – Qemajl Aliu i bën gati edhe dy kontrata firmës së nipit të asamblistit të VV-së, dyshohet se kompania i ka hartuar vetë specifikat
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komuna e Shtimes, e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes, po përgatitet t’ia japë edhe dy tendere tjera nipit të Ruzhdi Jasharit — ish-kandidat i kësaj partie për kryetar dhe ish-asamblist komunal.Kompania “Ardhmëria” e Dashnim Jasharit tashmë ka krijuar një lloj monopoli në tenderët e komunës. Sipas raportimeve të Gazetës Insajderi, vetëm brenda një dite kjo kompani kishte fituar dhjetë tenderë. Ndërkohë, për kontratën e fundit në vlerë prej 350 mijë eurosh janë ngritur dyshime serioze se kompania e ka përgatitur vetë dokumentacionin e tenderit para se të shpallej fituese.

Gazeta Insajderi

Komuna e Qemajl Aliut, ka hapur një tender prej 350 mijë euro, ku me kontratë u rekomandua “Dashnim Jashari B.I” me çmim ofertues 722.08 euro për njësi.

Tenderi ka të bëj me “Mirëmbajtja e infrastrukturës në Komunën e Shtimes”

Në të njëjtën datë me 05.11.2025, ky biznes mori edhe një tender tjetër nga kjo komunë.

“Dashnim Jashari” doli u shpërblye me kontratë për “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve”.

Vlera e kontratës është 160 mijë euro.

Dashnim Jashari hartoi vetë specifikat e tenderit dhe u shpërblye me kontratë

Organizata “Democracy Plus”, ka alarmuar se ekziston dyshimi i bazuar se lista e çmimeve (në të cilën janë paraqitura të gjitha specifikimet teknike të detyrueshme) në tenderin “Mirëmbajtja e infrastrukturës në Komunën e Shtimes (kontratë kornizë 36 muaj)” është hartuar nga vetë operatori ekonomik “Ardhmëria” (Dashnim Jashari B.I), i cili më pas është rekomanduar si fitues për këtë kontratë me vlerë të parashikuar 350,000 euro dhe çmim ofertues 722.08 euro për njësi.

Sipas tyre kjo përben shkelje të ligjit.

“Ky veprim është shkelje flagrante e nenit 65 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili ndalon pjesëmarrjen në prokurim të çdo operatori që ka kontribuar në përgatitjen e dokumenteve të tenderit. Për më tepër, një praktikë e tillë cenon drejtpërdrejt konkurrencën e lirë dhe e kthen procesin e prokurimit në formalitet për të justifikuar një vendim tashmë të parapërgatitur”, thuhet në reagim.

Shih më poshtë dëshminë se autor i hartimit të paramasës për aktivitetin e prokurimit ‟Mirëmbajtja e infrastrukturës në Komunën e Shtimes (kontratë kornizë 36 muaj)” është operatori ekonomik “Ardhmëria”.  

Komuna e Shtimes mohon akuzat

Lidhur me dyshimet e ngritura për këtë kontratë Gazeta Insajderi, ka marrë një përgjigje edhe nga Komuna e Shtimes.

Ata kanë mohuar çdo ndikim të mundshëm.

“Komuna e Shtimes demanton lajmin për siç është pretenduar për rolin e operatorit ekonomik  në hartimin e paramasës për aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja e infrastrukturës”. Paramasa dhe specifikacionet teknike dorëzohen çdoherë nga njësia kërkuese. Template i paramasës për këtë aktivitet është përdorur i njëjti që nga viti 2020, ku është adaptuar sipas nevojave të vitit 2025. Kjo nuk bie ndesh me asnjë nga procedurat e brendshme. Po ashtu, Komuna e Shtimes hedh poshtë prentendimet se është rekomanduar OE i cekur si fitues i këtij aktiviteti, pasiqë lënda është ende në procedurë të prokurimit.  Vlen të theksohet se të gjitha aktivitetet e prokurimit publik zhvillohen në mënyrë transparente dhe janë të publikuara në sistemin e-prokurimi, duke garantuar transparencë të plotë në çdo fazë të procesit për qytetarët“, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.

Kush është kompania fituese që po merr milionat nga Shtimja?

Biznesmeni Dashnim Jashari është nipi i Ruzhdi Jashari, i cili kishte qenë kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës në vitin 2017, dhe tash asamblist i kësaj partie.

Nga viti 2017 deri më 2020 ai ka qenë asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Shtimes.

Para kalimit në Vetëvendosje, Ruzhdi Jashari ka qenë në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Shtime.

Insajderi ka raportuar vazhdimisht se si kjo kompani po merr kontrata në Shtime.

Vetëm brenda një ditë kishte fituar 10 kontrata.

Dashnim Jashari B.I., i regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK) me emrin tregtar “Ardhmëria”, që nga viti 2023 ka përfituar 60 kontrata publike nga Komuna e Shtimes.  

  • Në vitin 2023: 25 kontrata në vlerë prej 1,392,627.94 euro; 
  • Në vitin 2024: 16 kontrata në vlerë prej 1,556,459.30 euro; dhe, 
  • Në vitin 2025: 18 kontrata në vlerë prej 3,728,306.84 euro.  

Vetëm për vitin 2025, totali i kontratave për investime kapitale që ka fituar ky operator nga Komuna e Shtimes arrin shumën prej 3,728,306.84 euro.

“Ky rast po ashtu vë në pikëpyetje të gjitha kontratat e mëparshme të fituara nga i njëjti operator ekonomik, sepse ngritë dyshime për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet autoritetit kontraktues dhe operatorit ekonomik. Në këtë kontekst, D+ kërkon anulimin e rekomandimit për dhënie të kontratës dhe kërkon hetim të plotë nga institucionet e drejtësisë, për të garantuar integritetin e procesit të prokurimit publik dhe për të parandaluar keqpërdorimin me paratë publike.  Numri jashtëzakonisht i lartë i kontratave të fituara nga një operator i vetëm, si dhe vlera e lartë e tyre, krijon monopol dhe marrëdhënie klienteliste, të cilat cenojnë konkurrencën e ndershme dhe shpesh rezultojnë në mungesë të zbatimit të kontratave dhe ulje të cilësisë së punimeve publike”, ka alarmuar D+./insajderi.org/

Pas publikimit të këtij artikulli, ka reaguar Ruxhdi Jashari.

“Kerkoj hetimin e Qemqjl Aliut, te Dashnim Jasharit dhe te gjithe tenderve te dhene kesaj kompanie dhe ky hetim te jete hetim i plote para opinionit publike me transparence te plote! Une nuk e ushtroj asnje post publik, dhe qe nga 2020, nuk kam kurrfare pergjegjesie publike. Une jetoj me familjen time, ndaras nga Dashnim Jashari, dhe asgje nuk kemi te perbashket as politikisht, as publikisht, as ekonomikisht, as familjarisht, qe nga viti i larget 1998! Une jetoj ne Shtime, dhe per te me share mua, qe fort po ua ze rrugen, sepse e kam luftuar e denoncuar publikìsht secilen administrate qe ka keqperdorur pushtetin dhe ka abuzuar me taksat e qytetareve, pa marre parasysh partite politike, ku neser mund te thoni edhe per ndonje abuzues shtimjan edhe kete”….”filan fisteku ka abuzu nga Shtimja nga e cila qyteze, ne vitin 2017, ish aktivisti i VV, Ruzhdi Jashari, ka qene kandidat nga kjo parti per kryetar te Shtimes”


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark