Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është deklaruar sot pas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj saj dhe disa zyrtarëve të ministrisë.
Ajo tha se akuzat janë të pabazuara dhe se shumë prej pretendimeve në dosje janë të shtrembëruara.
Hajdari u ndal edhe te ndërhyrjet e personave të ndryshëm në çështje të klasifikuara, duke theksuar se në periudhën kur kishte dështuar procesi i furnizimit me rezerva shtetërore, ajo ka kontaktuar ambasada të ndryshme për të gjetur kompani që mund të ofronin produkte bazë.
Sipas saj, kryeministri Albin Kurti nuk ka asnjë lidhje me këtë proces.
“Në përgjithësi, kur dështuan tenderët në fundvit, ne i kemi dalë në ndihmë departamentit duke kontaktuar ambasadat për të gjetur kompani të mundshme. Kryeministri Kurti nuk ka qenë i përfshirë në asnjë moment,” deklaroi Hajdari.
Ministrja reagoi edhe ndaj deklarimeve të zyrtarëve të ministrisë, të cilët pretenduan se ajo i kishte ofenduar kur kishin tentuar të parandalonin shkeljet në procesin e rezervave shtetërore. Ajo i mohoi kategorikisht këto akuza.
“Nuk është e vërtetë. Në fjalorin tim nuk ekziston fjala ‘llam’ apo ‘idiot’. Nuk i marr për bazë as ato që janë shkruar në Prokurori, sepse edhe vetë nuk kam pasur mundësi të deklarohem. Gjithçka do të vërtetohet me fakte në gjykatë,” u shpreh Hajdari.
Sa i përket mospropozimit të saj sërish për ministre në kabinetin e ri të kryeministrit Kurti, ajo tha se ka qenë vendim i marrë me dakordim të dyanshëm.
“Ky ka qenë komunikimi im me kryeministrin Kurti. Vendimi ka qenë i imi,” tha Hajdari.