Insajderi
Lajme

Skandal i ri në Ministrinë e Sveçlës: Personi që nuk i plotësoi kriteret për një agjenci bëhet drejtor në një tjetër

Insajderi
15 November 2025 - 14:48
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Skandal i ri në Ministrinë e Sveçlës: Personi që nuk i plotësoi kriteret për një agjenci bëhet drejtor në një tjetër
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Jetmir Haziri është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), e cila operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Ky emërim vjen më pak se dy muaj pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK) e kishte anuluar konkursin për një pozitë tjetër të lartë drejtuese në të njëjtën ministri, duke konstatuar se Haziri nuk i plotësonte kriteret.

Lajmin për emërimin e Hazirit në krye të ARC-së e kanë bërë të ditur mediat në Kosovë, duke konfirmuar emërimin e tij në këtë pozitë të rëndësishme.

Ky emërim pason një vendim të bujshëm të KPMShCK-së të datës 26 shtator 2025. Në atë vendim (A.nr.1337/2025), Këshilli kishte anuluar tërësisht procedurën e rekrutimit për pozitën “Drejtues Ekzekutiv i Agjencisë për Siguri Kibernetike” (ASK), një tjetër agjenci kyçe brenda MPB-së.

Arsyeja kryesore për anulimin e atij konkursi ishte se personeli vlerësues i MPB-së kishte bërë “vlerësim të gabuar” dhe kishte kualifikuar gabimisht kandidatë që nuk i plotësonin kushtet, përfshirë Jetmir Hazirin.

Në vendimin e KPMShCK-së, Këshilli konstatonte specifikisht për kandidatin Jetmir Haziri se ai nuk i plotësonte kriteret e përgjithshme dhe të veçanta. Sipas Këshillit, personeli i MPB-së nuk kishte vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë faktin nëse Haziri e përmbushte kushtin e përvojës së punës për “Kategorinë së Lartë Drejtuese”, siç kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Të dyja pozitat – si ajo e Drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike (për të cilën u anulua konkursi) ashtu edhe ajo e Drejtorit të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ku Haziri sapo u emërua) – i përkasin “Kategorisë së Lartë Drejtuese” dhe janë nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Ministri Xhelal Sveçla. Ky zhvillim ngre pyetje se si i njëjti kandidat, i cili u konsiderua nga Këshilli Mbikëqyrës si i pakualifikuar për një pozitë të lartë drejtuese në shtator për shkak të mungesës së përvojës së kërkuar drejtuese, arrin të emërohet në një pozitë ekuivalente brenda të njëjtës ministri vetëm dy muaj më vonë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark