Insajderi
Hulumtime/Analiza

Detaje nga aktakuza ndaj 7 personave- Si iu shkaktua dëm buxhetit të shtetit gati 25 mijë euro?

Insajderi
17 November 2025 - 12:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Detaje nga aktakuza ndaj 7 personave- Si iu shkaktua dëm buxhetit të shtetit gati 25 mijë euro?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Të pandehurit Berat Kabashi, Mustafë Buzhala, Enver Shabanaj, Agron Elshani, Bahti Nebiu dhe Zenun Tolaj akuzohen se më 14.07.2019 në Suharekë, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke tejkaluar kompetencat ose moskryer detyrat zyrtare me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë për të tjerët dhe duke shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, menaxheri i kontratës Berat Kabashi ka marrë pjesë në përpilimin e raportit të situacionit të parë të përkohshëm për projektin e asfaltimit të rrugës në fshatin Ngucat, duke paraqitur të dhëna të rreme lidhur me ndërtimin e një ure metalike që nuk ishte realizuar.

Zyrtari i prokurimit Mustafë Buzhala ka nënshkruar kontratën dhe ka mundësuar pagesën për këtë urë, ndonëse ajo nuk ishte ndërtuar.

Drejtori i shërbimeve publike, Enver Shabanaj, akuzohet se nuk ka kryer detyrat e tij gjatë përgatitjes së dokumentacionit teknik, duke lejuar mospërputhje mes para masës, para llogarisë dhe projektit.

Hartuesi i projektit, Agron Elshani, ka përpiluar para masën dhe para llogarinë në mënyrë të pasaktë, duke paraparë urën metalike por jo murin mbrojtës, ndërsa në projekt kishte ndodhur e kundërta.

Ndërkohë, monitoruesi, Bahti Nebiu, dhe mbikëqyrësi, Zenun Tolaj, kanë nënshkruar raportin e situacionit të parë dhe certifikatën e pagesës pa u ndërtuar ura metalike. Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar dëm prej 24,308 euro dhe kanë bashkëkryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 414 të KPRK-së, në lidhje me nenin 31.

Të pandehurit, Abedin Maliqaj i atribuohet se më 14.07.2019 në Suharekë, në cilësinë e përfaqësuesit të operatorit ekonomik AM SHPK, ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik duke mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata, me qëllim përfitimi dhe duke shkaktuar dëm buxhetor. Ai dyshohet se ka kërkuar pagesën përmes situacionit të parë të përkohshëm, ku kishte paraqitur si punë të kryer ndërtimin e urës metalike në vlerë prej 24,308 euro, ndonëse ura nuk ishte ndërtuar fare.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, ai ka kryer veprën penale keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim sipas nenit 415 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark