Insajderi
Analiza

Këta janë të akuzuarit për urën në Ngucat që u pagua por s’u ndërtua kurrë

Insajderi
17 November 2025 - 12:28
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Këta janë të akuzuarit për urën në Ngucat që u pagua por s’u ndërtua kurrë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Gazeta Insajderi ka marrë vesh se të akuzuarit janë: Berat Kabashi, menaxher i kontratës, Mustafë Buzhala, zyrtar i prokurimit në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Agron Elshani, Hartues i projektit (inxhinier/projektues), Bahti Nebiu, Monitorues i caktuar nga Ministria, Zenun Tolaj, Mbikëqyrës i jashtëm (i përzgjedhur përmes tenderit), Abidin Maliqaj Përfaqësues i operatorit ekonomik “AM GROUP” SHPK.

Që të shtatë të akuzuarit dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 24,308 euro. Aktakuza përshkruan se menaxheri i kontratës për asfaltimin e rrugës Ngucat, Berat Kabashi, ka përpiluar një raport me të dhëna të pasakta lidhur me ndërtimin e urës metalike, ndërsa zyrtari i prokurimit, Mustafë Buzhala,, ka nënshkruar kontratën dhe ka lejuar pagesën për një urë që nuk ishte ndërtuar.

Drejtori i shërbimeve publike, Enver Shabani,, nuk ka përmbushur detyrimet e tij për përgatitjen e detyrës projektuese dhe specifikimeve teknike, duke lejuar nënshkrimin e kontratës me mospërputhje në dokumentacion. Hartuesi i projektit, Agron Elshani, ka përgatitur para masën dhe llogarinë projektuese në mënyrë të pasaktë, duke shpërfillur ndërtimin e urës metalike dhe të murit mbrojtës sipas projektit origjinal. Monitoruesi i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bahti Nebiu, dhe mbikëqyrësi i përzgjedhur përmes tenderit, Zenun Tolaj, kanë nënshkruar raportin dhe certifikatën e pagesës edhe pse ura e parashikuar nuk ishte ndërtuar.

Ndërkaq, Abidin Maliqaj, përfaqësues i operatorit ekonomik të kontratës, ka paraqitur raportin në të cilin deklaronte si të kryera punimet për ndërtimin e urës metalike, edhe pse ura nuk ishte ndërtuar fare, duke kryer kështu veprën penale të mashtrimit në prokurim publik. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark