Shtatë personave iu është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren lidhur me një urë në fshatin Ngucat të Suharekës, për të cilën ishte ekzekutuar shuma prej afro 25 mijë euro dhe s’ishte ndërtuar kurrë.
Të akuzuarit janë: Berat Kabashi, menaxher i kontratës; Mustafë Buzhala, zyrtar i prokurimit në Komunën e Suharekës; Enver Shabani, Drejtor i Shërbimeve Publike të Komunës së Suharekës; Agron Elshani, hartues i projektit (inxhinier/projektues); Bahti Nebiu, monitorues i caktuar nga Ministria; Zenun Tolaj, mbikëqyrës i jashtëm (i përzgjedhur përmes tenderit); dhe Abedin Maliqaj, përfaqësues i operatorit ekonomik “AM GROUP” SHPK.
Të pandehurit Berat Kabashi, Mustafë Buzhala, Enver Shabani, Agron Elshani, Bahti Nebiu dhe Zenun Tolaj akuzohen se më 14.07.2019 në Suharekë, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorur pozitat e tyre duke tejkaluar kompetencat ose duke mos kryer detyrat zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë për të tjerët dhe duke shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Insajderi, menaxheri i kontratës Berat Kabashi ka marrë pjesë në përpilimin e situacionit të parë të përkohshëm, ku janë paraqitur të dhëna të rreme për ndërtimin e një ure metalike. Edhe pse ura nuk ishte paraparë në projekt dhe nuk ishte ndërtuar, ai ka lejuar që ajo të paraqitet si punë e kryer dhe të procedohet për pagesë. Ai po ashtu nuk ka njoftuar zyrën e prokurimit për ndryshimet dhe ka vepruar duke tejkaluar kompetencat e tij.
Nga ana tjetër, Mustafë Buzhala, zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik, kontratë që përfshinte paramasën dhe parallogarinë ku figurohej ndërtimi i urës metalike. Pagesa për këtë urë ishte bërë, ndonëse ajo nuk ishte ndërtuar. Aktakuza thekson se Buzhala nënshkroi kontratën pa u siguruar se projekti, paramasa dhe parallogaria ishin në përputhje me njëra-tjetrën.
Enver Shabani, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, ka përfaqësuar njësinë e kërkesës, e cila sipas rregullores duhet të përgatisë detyrën projektuese, specifikimet teknike, paramasën dhe parallogarinë. Sipas aktakuzës, ai nuk i ka kryer këto detyra, duke lejuar që kontrata të nënshkruhet me mospërputhje të theksuara midis projektit dhe paramasës. Roli i tij konsiderohet kyç në krijimin e bazës për pagesën e punëve që nuk janë kryer fare.
Hartuesi i projektit, Agron Elshani, ka hartuar paramasën dhe parallogarinë ku është paraparë ndërtimi i urës metalike, ndërsa në projektin zbatues ishte paraparë ndërtimi i një muri mbrojtës. Aktakuza pretendon se Elshani ka krijuar mospërputhje të qëllimshme midis dokumenteve, duke mundësuar më pas raportimin e rremë të urës dhe pagesën për të.
Bahti Nebiu, monitorues i Ministrisë (MMPH), sipas aktakuzës ka nënshkruar situacionin e parë të përkohshëm dhe ka marrë pjesë në përgatitjen e certifikatës së pagesës për urën metalike, megjithëse ajo nuk ekzistonte fare. Si monitorues, ai kishte detyrë të verifikonte punimet, por nuk e ka bërë këtë.
Për të pandehurin Abedin Maliqaj thuhet se më 14.07.2019, në cilësinë e përfaqësuesit të operatorit ekonomik AM SHPK, ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik, duke mos zbatuar detyrimet kontraktuale me qëllim përfitimi dhe duke shkaktuar dëm buxhetor. Ai dyshohet se ka kërkuar pagesën përmes situacionit të parë të përkohshëm duke paraqitur si të kryer ndërtimin e urës metalike në vlerë 24,308 euro, ndonëse ajo nuk ishte ndërtuar.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, ai ka kryer veprën penale keqpërdorim apo mashtrim në prokurim, sipas nenit 415 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 dhe 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Zenun Tolaj, mbikëqyrësi i jashtëm (nga kompania PMN), i përzgjedhur përmes tenderit, ka nënshkruar raportin e situacionit të parë dhe ka përgatitur certifikatën e pagesës duke konfirmuar punë të pakryera, përfshirë urën metalike. Aktakuza e konsideron atë bashkëpërgjegjës për lejimin e pagesës së parregullt.
Abidin Maliqaj, përfaqësuesi i operatorit ekonomik “AM GROUP”, ka kërkuar pagesën për urën metalike si të kryer, në vlerë prej 24,308 euro, edhe pse ura nuk ishte ndërtuar. Ai konsiderohet të ketë shkelur rregullat e prokurimit dhe ka përfituar padrejtësisht nga mospërputhjet e krijuara në projekt, paramasë dhe situacione.
Në gusht të vitit 2023, u arrestuan dy zyrtarë të Komunës së Suharekës pasi dyshohej se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Enver Shabani, drejtor i Shërbimeve Publike, dhe Berat Kabashi, zyrtar në të njëjtën drejtori/menaxher i kontratës, ranë në pranga pas raportimit të Gazetës Insajderi.
Shabani dhe Kabashi dyshohej se kishin përfituar nga detyra e tyre duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik. Sipas Prokurorisë, ata dyshohej se u kishin mundësuar dobi pasurore personave të tjerë dhe i kishin shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Pas këtyre zhvillimeve, Komuna e Suharekës anuloi tenderin mbi 100 mijë euro, të cilin ia kishte dhënë një organizate joqeveritare të themeluar nga vetë drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani.
Në vendimin e anulimit thuhej se kishte ndodhur një shkelje e Ligjit të Prokurimit Publik, e cila nuk mund të rregullohej ose parandalohej, dhe për këtë arsye aktiviteti duhej të ndërpritej. Tutje, theksohej se anulimi u bë për shkak të një “ngjarjeje të paparashikueshme” në Komunën e Suharekës.
Gazeta Insajderi raportoi në prill të vitit 2023 se ishte hapur tenderi për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht, ani pse për të njëjtat rrugë ishte lidhur kontratë prej 72 mijë eurosh në vitin 2022.
Bëhej fjalë për ndërtimin e rrugëve: Rexhep Velia, Molika, Shaljanët, Tafa, Ilaz Shala, Gentiana, Haxhi Shania, Avdyl Aga, Jetush Shala dhe Kovaqi.
Më 17 maj 2022, Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 72,213 euro për ndërtimin e këtyre rrugëve.