Insajderi
Hulumtime/Analiza

Kompania që mashtroi me urën metalike në Suharekë është e vëllait të ish-drejtorit të Bali Muharremajit

Insajderi
19 November 2025 - 16:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kompania që mashtroi me urën metalike në Suharekë është e vëllait të ish-drejtorit të Bali Muharremajit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kompania përfituese e tenderit për ndërtimin e rrugës Ngucat–Bllacë, “AM Group” Shpk, rezulton të jetë në pronësi të vëllait të ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Suharekës, Driton Maliqaj. Ndaj pronarit të kompanisë, Abedin Maliqaj, Gjykata e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për mashtrim në prokurim publik.

Gazeta Insajderi

Gjykata Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë zyrtarëve të Komunës së Suharekës dhe përfaqësuesit të operatorit ekonomik të cilët ishin të përfshirë në tenderin për ndërtimin e një rruge dhe të një ure metalike në këtë komunë.

Sipas aktakuzës, kompania përfituese ka paraqitur në situacion punime të kryera për një urë metalike që në realitet as nuk kishin filluar. Përmes këtij raportimi të rremë, operatori ekonomik ka përfituar kundërligjshëm mbi 24 mijë euro nga buxheti i shtetit.

“Këtu është vërtetuar dashja dhe qëllimi i të pandehurve që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik ‘AM Group’ Shpk për një punë të cilën nuk e ka kryer, por që e ka paraqitur kinse e ka përfunduar. Në këtë mënyrë është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumë prej 24.308 euro”, thuhet në aktakuzën e cila është siguruar nga Gazeta Insajderi.

Nga të dhënat e regjistrimit të bizneseve, pronar i kompanisë rezulton të jetë Abedin Maliqaj, i cili po ashtu akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik”.

Gazeta Insajderi ka mësuar se pronari i kompanisë është vëllai i Driton Maliqajt, ish-drejtor i Drejtorisë së Administratës në Suharekë. Ai e ka mbajtur këtë pozitë pikërisht në kohën kur kompania e vëllait të tij kishte fituar tenderin në fjalë.

Përveç funksionit në komunë, Driton Maliqaj ka qenë edhe kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Detajet e aktakuzës – Kush janë zyrtarët e dyshuar?

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave në lidhje me urën e fshatit Ngucat, për të cilën ishin paguar afro 25 mijë euro, por që në terren nuk ishte ndërtuar kurrë.

Të akuzuarit janë: Berat Kabashi – menaxher i kontratës, Mustafë Buzhala – zyrtar i prokurimit në Komunën e Suharekës, Enver Shabani – drejtor i Shërbimeve Publike, Agron Elshani – inxhinier/projektues, hartues i projektit, Bahti Nebiu – monitorues nga Ministria, Zenun Tolaj – mbikëqyrës i jashtëm i përzgjedhur me tender, Abedin Maliqaj – përfaqësues i operatorit ekonomik “AM Group” Shpk

Prokuroria i ngarkon zyrtarët me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi sipas aktakuzës, më 14 korrik 2019, ata kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, duke mundësuar përfitime të paligjshme për operatorin ekonomik dhe duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark