Presidentja Vjosa Osmani caktoi 28 dhjetorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, si pasojë e mos-kalimit të mandatarit të dytë të partisë Lëvizja Vetëvendosje. Ndër arsyetimet kryesore të saj ishin brengat për dhënie procedurash e tenderësh. Megjithatë, praktika lidhur me tenderët për zgjedhje tregon se që prej 2021-ës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka besuar tenderin në formë të negociuar kompanisë sllovene “Cetis”.
Ndonëse partitë e tjera kryesore kërkuan që data e zgjedhjeve të jetë 21 dhjetori si shkak që i 28-ti është afër festave të fundvitit, presidentja Osmani vendosi për datën e dytë. Atë të cilën e propozoi Lëvizja Vetëvendosje. Krejt kjo, me arsyetimin se ka procedura e tenderë që kinse kërkojnë kohë.
“Data 21 dhjetor është datë shumë e afërt, ka procedura, tenderë. Andaj e kam vlerësuar datën 28 dhjetor”, deklaroi ndër të tjera Osmani.
Megjithatë, brenga e saj nuk përputhet me praktikën e dhënies së tenderëve sa i përket zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndonëse ishte njoftuar katër muaj më parë për datën e zgjedhjeve lokale, kishte vendosur që në gusht të këtij viti t’ia jepte tenderin në formë të negociuar kompanisë sllovene “Cetis” në vlerë prej afro 500 mijë euro.
Kompania e njëjtë sllovene kishte shtypur fletëvotimet edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të 2021-ës në Kosovë. KQZ-ja kishte anuluar tenderin duke eliminuar të pesë operatorët ekonomikë që kishin aplikuar, pasi nuk kishin përmbushur kriteret e kërkuara – në mesin e tyre edhe kompania sllovene CETIS.
Në arsyetimin për anulimin e kësaj kompanie thuhej se asaj i mungonin disa dokumente dhe nuk ishin përmbushur kërkesat e sigurisë së tenderit. Po ashtu thuhej se ajo kishte ofertuar me çmim dyfish më të lartë sesa që KQZ-ja planifikonte të shpenzonte për shtypje të fletëvotimeve.
CETIS kishte ofertuar me çmim prej mbi 776 mijë eurosh, derisa KQZ-ja planifikonte ta përmbyllte këtë shërbim me 290 mijë euro.
Pas rreth 20 ditësh nga anulimi i tenderit, KQZ-ja vendosi ta shpërblejë me kontratë pikërisht grupin e operatorëve CETIS dhe CETKOS, me procedurë të negociuar. Vlera e kontratës ishte mbi 279 mijë euro.
Dokumente biznesi dhe të pronësisë tregojnë se CETIS ka qenë aksionare në një kompani shqiptare ku ortak figuron edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, figuron si aksionar me 10% në kompaninë shqiptare “Nacional Sh.A.”, me aktivitet fillestar në “organizimin e llotarive dhe lojërave të fatit”.
Në dokumentet themeluese të kësaj kompanie, ndër aksionarët listohen edhe: “CETIS”, “Stil”, “Nirvana” dhe “Lucrum”, me pronarë sllovenë e kroatë.
Sipas të dhënave, Berishaj nuk e ka deklaruar këtë hise në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndonëse është i detyruar me ligj si zyrtar publik. /Insajderi.org/