Insajderi
Analiza

Raporti i ZKA-së zbulon kaos në menaxhimin e projekteve të trashëgimisë kulturore – MKRS me staf pa licenca, projekte me gabime, vonesa dhe mungesë garancionesh

Insajderi
20 November 2025 - 19:10
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raporti i ZKA-së zbulon kaos në menaxhimin e projekteve të trashëgimisë kulturore – MKRS me staf pa licenca, projekte me gabime, vonesa dhe mungesë garancionesh
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar një raport me të gjeturat nga dështimet në menaxhimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për periudhën 2022–2024.

Auditimi konstaton se ministria ka dështuar të menaxhojë në mënyrë efektive dhe ligjore miliona euro të projektuar për restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Nga 27.1 milionë euro të planifikuara për tri vjet, MKRS ka realizuar vetëm rreth 10.8 milionë euro – një nivel i ulët shpenzimesh që, sipas auditorëve, lidhet drejtpërdrejt me dobësitë sistematike në planifikim, zbatim e mbikëqyrje të projekteve.10,891,418€.

“Kjo tregon një përqindje të ultë të shpenzimit në raport me buxhetin nëpër vite. Konkluzioni i auditimit është se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të menaxhojë si duhet realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore”.

Ministria kishte angazhuar staf të pa licencuar në mbikëqyrjen e realizimit të projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore.

Menaxherët e kontratave/organet mbikëqyrëse nuk kishin monitoruar si duhet menaxhimin e projekteve, pasi në disa raste nuk ishin plotësuar dhe nënshkruar me kohë ditarët e punës dhe librat ndërtimor, kishte mangësi në hartimin e projekteve ekzekutive, nuk kishin aplikuar sistemin E prokurimi, vonesa në realizimin e kontratave si dhe nuk kishin aplikuar garancion të punimeve pas pranimit teknik, shkruan Insajderi.

Staf pa licenca ligjore në projektet e trashëgimisë kulturore

Sipas raportit, MKRS ka angazhuar zyrtarë pa licenca profesionale në mbikëqyrjen e projekteve restauruese – një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Në 10 projektet e testuara, asnjëri prej mbikëqyrësve nuk kishte licencën profesionale A1, e cila kërkohet për konservim, restaurim dhe mbikëqyrje të objekteve të trashëgimisë kulturore.

ZKA vlerëson se mungesa e stafit të licencuar rrezikon cilësinë e punimeve dhe dëmton objektet historike.

“Licenca A1 u jepet personave fizikë për ushtrimin e veprimtarisë profesionale në hartimin e projekteve për konservim/restaurim dhe mbikëqyrjen e implementimit të tyre (neni 5, pika 2.1). Prandaj, caktimi i stafit pa këtë licencë është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi“, thuhet në raport.

Menaxherët e kontratave s’e përdorin E-prokurimin – të dhënat nuk arkivohen fare

Edhe pse ligji kërkon menaxhim dhe arkivim elektronik të çdo kontrate, auditorët thonë se në të gjitha rastet e testuara MKRS nuk ka përdorur modulit zyrtar të E-prokurimit për menaxhimin e kontratave.

“Mos përdorimi i sistemit të E-prokurimit për mbajtjen dhe arkivimin e kontratave mund të ndikoj në mos respektimin e kërkesave ligjore si dhe pamundësinë që menaxhmenti të merr informata me kohë në lidhje me progresin dhe realizimin e kontratave“.

Ministrit ZKA i rekomandoi që menaxhimi dhe arkivimi i të gjitha kontratave të bëhet përmes sistemit elektronik të prokurimit publik.

“Për këtë qëllim, duhet të forcohen kontrollet e brendshme dhe të ofrohen trajnime adekuate për menaxherët e kontratave, në mënyrë që të rritet pajtueshmëria ligjore dhe efikasiteti në menaxhimin e kontratave“.

Projekte të hartuara gabimisht – dritare të tepërta, metra katrorë të rremë dhe mungesë punësh në projekt

Në dy projektet e mëdha – Kishën Katolike në Ferizaj dhe “Lagjen e Hajdineve” në Gjilan – ZKA ka gjetur gabime në projektet ekzekutive:

  • projektim i sasisë së gabuar të dritareve (45 të planifikuara, 42 reale),
  • projektim i fasadës me 525 m² kur në terren ekzistojnë vetëm 367.5 m²,
  • mungesë e tërësishme e punimeve të kanalizimit dhe elektrikës në paramasë, të cilat janë shtuar më pas me dokument të veçuar.

Këto gabime, sipas auditorëve, sjellin paqartësi, vonesa dhe rrezik për rritje të kostos.

“Këto mangësi ishin si rezultat i planifikimit jo të saktë dhe mbikëqyrjes jo të mjaftueshme gjatë hartimit të projekteve dhe përgatitjes së paramasës nga njësitë e kërkesës. Mospërputhja ndërmjet projektit ekzekutiv (paramasës) dhe gjendjes faktike në teren krijon paqartësi gjatë realizimit të punimeve, që mund të ndikojë në zbatimin joefikas të kontratës, vonesa në realizim dhe rritje të shpenzimeve të paplanifikuara“, thuhet në të gjeturat e ZKA-së.

Mangësi në mbajtjen e ditarëve të punës dhe librave ndërtimor

Në katër projekte, ZKA ka vërejtur se ditarët e punës dhe librat ndërtimor nuk nënshkruheshin rregullisht nga mbikëqyrësi – madje në disa raste punët shtesë figurojnë vetëm në situacione, jo në ditarët zyrtarë.

Kjo, sipas auditorëve, e pamundëson kontrollin korrekt të punimeve dhe pagesave.

“Mungesa e shënimeve dhe nënshkrimeve në ditarët e punëve dhe librat ndërtimor vështirëson kontrollin me kohë të punëve të kryera si dhe pagesave për ato punë“.

Vonesa të mëdha në projektet kryesore – Muzeu Kombëtar shumë prapa afatit

Dy projekte të mëdha kapitale janë shumë larg afateve të kontraktuara:

-Projekti “Konzervimi dhe restaurimi i ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës – me vlerë 2,946,757€, kontrata ishte nënshkruar me datën 09.08.2024, ku afati i përfundimit të punimeve ishte paraparë me datën 09.09.2025. Megjithatë, deri në muajin korrik 2025 ishte realizuar afër
40% e punimeve.

-Projekti “Intervenime emergjente në Qendrën Kulturore Hebraike në Prizren” në vlerë 547,557€, ishte nënshkruar me datë 17.10.2022, ku përfundimi i punimeve ishte 25 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Për më shumë kontrata edhe në muajin korrik 2025 ende ishte aktive dhe punimet nuk kishin përfunduar.

    “Këto vonesa kanë ndodhur si rezultat i pengesave të shkaktuara gjatë planifikimit dhe realizimit të
    punimeve si, ndryshimet dhe plotësimet e projektit bazë, pengesat tjera administrative të paplanifikuara
    gjatë realizimit të projekteve si dhe nga rrethanat tjera, siç janë faktorët natyrore, në rastin konkret
    dalja e ujërave nëntokësore
    “.

    Mungesë garancionesh bankare pas pranimit teknik – rrezik direkt financiar për shtetin

    Në dy projekte, përfshirë “Ish Gjimnazin Jeronim de Rada” dhe “Lagjen e Hajdineve”, nuk janë dorëzuar garancionet bankare njëvjeçare në vlerë 10% të kontratës, të cilat mbrojnë shtetin nga defektet e mundshme.

    Pa garancione, MKRS rrezikon të mos mund t’i kërkojë operatoreve kompensim në rast të punimeve jo cilësore, përcjell Insajderi.

    MKRS pra nuk ka qenë në pajtueshmëri me ligjet, rregulloret dhe standardet e menaxhimit të projekteve kapitale.

    ZKA i rekomandon ministrit që:

    • të angazhojë vetëm staf të licencuar,
    • të përdorë E-prokurimin për çdo kontratë,
    • të hartohen projekte të sakta dhe profesionale,
    • të eliminohen vonesat me planifikim të duhur,
    • të nënshkruhen rregullisht ditarët e punës,
    • të sigurohen garancionet e detyrueshme bankare./insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Facebook Instagram

    Impressum

    Kontakt

    Trademark