Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues me të cilin i akuzuari D.Z., është dënuar me dënim unik prej 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.
Sipas vendimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari u dënua me 5 vjet burgim, kurse për “Kanosje” me 2 vjet burgim.
I akuzuari në seancën e 17 nëntorit 2025, ka pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025: më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.