Insajderi
Lajme

Buxheti i zgjedhjeve bllokohet në KQZ, debati për fletëvotimet e diasporës ndez tensione

Insajderi
25 November 2025 - 10:42
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Buxheti i zgjedhjeve bllokohet në KQZ, debati për fletëvotimet e diasporës ndez tensione
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, në vlerën rreth 7.8 milionë euro, nuk mori dritën e gjelbër në mbledhjen e së hënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Pas më shumë se një ore debati, u vendos që buxheti i propozuar të rikthehet për vlerësim në Këshillin e Buxhetit të KQZ-së dhe të dalë sërish për votim në KQZ. Për këtë temë, KQZ do të mbajë një mbledhje të martën në orën 13:30.

Përfaqësuesit e ish-opozitës, PDK, LDK dhe AAK, kundërshtuan buxhetin me arsyetimin se nuk parashikon zbatimin e nenit 9 të rregullores zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës. Sipas tyre, duhet të vazhdohet me rregulloren e përdorur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe raundin e dytë të 9 nëntorit, ku votuesve jashtë vendit u sigurohet dërgimi i fletëvotimeve origjinale, zarfave të fshehtësisë dhe zarfit kthyes përmes postës.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha se nuk dëshiron që KQZ të rikthehet te zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kishte pasur një numër të madh ankesash për parregullësi në votimin jashtë Kosovës. Ai vlerësoi se për herë të parë në zgjedhjet lokale të diasporës procesi u zhvillua me integritet, pa asnjë ankesë mbi rezultatin dhe mënyrën e votimit. “Fletëvotimet origjinale u dërguan në adresat e mërgimtarëve dhe ata votuan siç e kërkon ligji. Nuk do të doja të riktheheshim te një proces i kontaminuar, manipulativ”, tha Gashi.

Nga ana tjetër, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, kundërshtoi dërgimin e fletëvotimeve me postë, duke argumentuar se ato nuk do të arrijnë me kohë tek votuesit. Ai theksoi se opsioni i fletëvotimeve të rregullta mund të bëjë që fletëvotimet të mbërrijnë pas 5 janarit, duke vonuar procesin dhe shpenzuar buxhet pa rezultat. Krasniqi shpjegoi se edhe opsioni i dytë, me forma të avancuara të regjistrimit dhe masa të sigurta për dërgimin, ka pengesa kohore për shkak të festave të fundvitit. Ai paralajmëroi se në këto kushte, votimi i diasporës mund të shndërrohet në një “komedi me qytetarët dhe votuesit”, përpara nisjes së votimit më 12 dhjetor.

Debati mbi buxhetin dhe zbatimin e rregullores për diasporën vazhdon të jetë një nga çështjet më të nxehta në KQZ para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark