Insajderi
Lajme

LDK kritikon VV-në: Krijuan krizën, e bllokuan tri herë, tani po shpallen shpëtimtarë, paturpësi e pastër politike

Insajderi
27 November 2025 - 20:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
LDK kritikon VV-në: Krijuan krizën, e bllokuan tri herë, tani po shpallen shpëtimtarë, paturpësi e pastër politike
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj Vetëvendosjes, duke theksuar se kjo e fundit po zhvillon fushatë mashtrimi politik duke u përpjekur të marrë merita për një proces që vetë e ka bllokuar tri herë radhazi.

Sipas LDK-së, VV-ja ka vepruar kundër qytetarëve duke penguar ecjen përpara të buxhetit për kryeqytetin.

“Dokumentet flasin qartë: më 21.05.2025, 12.06.2025 dhe 27.06.2025, bartja e të hyrave vetanake ka dështuar sepse asamblistët e Vetëvendosjes votuan kundër, duke paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit”, theksohet në reagimin e LDK-së.

Partia shton se, pas muajsh bllokadash të qëllimshme, VV-ja tani pretendon se ka “zhbllokuar” vetveten. “Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj dil në podium e shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike”, thuhet më tej.

LDK-ja thekson se anëtarët e VV-së kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit: “LDK ka mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës në çdo seancë, ndërsa VV ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake. Nuk ka asnjë fakt, asnjë votë dhe asnjë procesverbal që e mbështet narrativën e tyre, përkundrazi çdo dokument dëshmon bllokimin e tyre të hapur”.

“Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik”, deklaron LDK-ja.

Në përfundim, LDK pohoi se do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, “dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark