Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në legjislaturën që shkoi, Ganimete Musliu, ka rikthyer në vëmendje “Fondin e Sigurisë”, të cilin e kishin hapur para tri vitesh nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që të dërgonin fonde për blerje të pajisjeve ushtarake për Forcën dhe Sigurinë e Kosovës (FSK).
Musliu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka theksuar se nuk ka transparencë lidhur me “Fondin e Sigurisë” dhe se ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me të, shkruan Insajderi.
“Para tre vitesh u hap “Fondi i Sigurisë” me fjalë të mëdha, me ideale të mëdha dhe, si zakonisht, me premtime të mëdha.Qytetarët dhanë para. Diaspora kontribuoi. E Qeveria? Hesht. Sepse, sa herë që vjen puna te transparenca, gjithçka papritur shpallet “sekret””, shkroi Musliu.
Postimi i plotë:
Fondi i “Sigurisë” që askush s’e di ku është, përveç Qeverisë
Para tre vitesh u hap “Fondi i Sigurisë” me fjalë të mëdha, me ideale të mëdha dhe, si zakonisht, me premtime të mëdha.
Qytetarët dhanë para. Diaspora kontribuoi. E Qeveria? Hesht.
Sepse, sa herë që vjen puna te transparenca, gjithçka papritur shpallet “sekret”.
Këto janë disa nga pyetjet që Qeveria Kurti vazhdon t’i shmangë publikisht:
• Sa para janë mbledhur realisht në Fondin e Sigurisë?
• Ku kanë përfunduar këto para?
• Për çfarë janë shpenzuar? Apo mos vallë po qëndrojnë në një llogari të mbyllur, larg syve të publikut?
• Sa është investuar në pajisje ushtarake?
• Sa në infrastrukturë?
• Sa në mbrojtje civile?
Nuk ka ndarje. Nuk ka raporte. Nuk ka asnjë informacion.
Pse ende nuk ka një auditim të pavarur të publikuar?
Nëse gjithçka është në rregull, pse ka kaq frikë Qeveria nga llogaridhënia?
Fondi i Sigurisë është para publike, jo pasuri private e askujt.
Mungesa e transparencës nuk është rastësi, është zgjedhje e qartë politike.
Sa më shumë hesht Qeveria, aq më shumë rriten dyshimet. /Insajderi.org/