Hetimi për një rast të madh droge, ku Prokuroria në Pejë shkatërroi plantacionin me 2,850 bimë tashmë po shkon drejt fundit. Për këtë rast ka pasur arrestime në Kosovë e Shqipëri. Burime të Insajderit bëjnë me dije se sot në Kosovë nga Republika e Shqipërisë është ekstraduar edhe një i dyshuar. Bëhet fjalë për Eldi Mykaj, shtetas i Shqipërisë dhe i dyshuar në rastin e plantacionit masiv të kanabisit në Pejë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka vepruar menjëherë duke caktuar masën 48 orë ndalim për Mykajn. Prokuroria pritet që nesër t’i drejtohet Gjykatës në Pejë me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Eldi Mykaj është pjesë e dosjes penale të nisur nga Prokuroria e Pejës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale: “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Dyshohet se Mykaj, së bashku me të tjerët, duke vepruar si anëtarë të një grupi, kanë kultivuar pa autorizim bimën e kanabisit në fshatrat Kliqinë dhe Sverk të Pejës, në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri më 28.09.2024. Grupi kishte përgatitur dy parcela me sipërfaqe të madhe, ku u mbollën gjithsej 2,850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me një peshë totale më tepër se 1 ton dhe vlerë rreth 5 milionë euro.
Të dyshuarit u hetuan nga Policia e Kosovës më 27.09.2024. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 2,850 bimë dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike të gatshme dhe në proces përpunimi, duke e çuar sasinë e përgjithshme të kapur në mbi 1035 kg. Ky operacion është udhëhequr nga Prokurori i Shtetit, Ersan Qavolli.