54 vjeçarja- Nexhmije Mehmet Selmani është arrestuar të hënën si bashkëpunëtore e grupit kriminal i njohur si “Laboratori 25”. Ata dyshohen për falsifikim me pasaporta e patentë shofer në 50 shtete. Grupi i përberë nga 10 persona është futur në listën e zezë të Britanisë së Madhe. Tre nga anëtarët e grupit, Arif Krasniqi, Flamur Krasniqi( babë e bir) dhe tashme Nexhmije Selmani janë arrestuar ndërsa personat e tjerë janë identifikuar.
Prokuroria Speciale ka lëshuar një komunikatë në të cilën konfirmon se është arrestuar edhe një person si bashkëpunëtor në rastin e njohur si “Laboratori 25”.
Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht se personi i arrestuar është Nexhmije Selmani.
Ajo po dyshohet se ka kryer vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve publike si, pasaporta, patentë-shofera, e dokumente të tjera, të prodhuara për mbi 50 shtete të ndryshme të botës.
Roli i saj në grupin kriminal të njohur si “Rrjeti Krasniqi” është dhënia me qera e shtëpisë e cila është në emër të saj në lagjen Qëndresa në Prishtinë. Në këtë shtëpi, sipas prokurorisë janë gjetur prova të ndryshme për prodhimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara, me qëllimin të prezantimit dhe përdorimit të tyre si origjinale.
Pamje nga laboratori:
“Ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar 2025, N.S. në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, në lagjen Qëndresa në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka kryer vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve publike si, pasaporta, patentë-shofera, e dokumente të tjera, të prodhuara për mbi 50 shtete të ndryshme të botës. Në shtëpinë laborator, e cila ishte marrë me qira në emër të N.S., janë gjetur aparatura të ndryshme për prodhimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara, me qëllimin të prezantimit dhe përdorimit të tyre si origjinale” thuhet në komunikatë.
Britania sanksionon rrjetin kosovar që e akuzon se falsifikoi dokumente
Sipas një njoftimi të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.
Sipas një njoftimi të Britanisë, në mesin e këtij grupi është edhe Nexhmije Selmani e cila u arrestua të hënën në Kosovë.
“Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim”, thuhet në njoftimin e Britanisë.
Si funksiononte gripi kriminal dhe si u zbulua nga Policia e Kosovës
Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte zbuluar se një shtëpi në Prishtinë kishte shërbyer si një laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe patentë-shoferë.
Zbulimi i kësaj shtëpie ishte bërë pasi më 24 janar, Policia e kishte ndaluar një automjet ku kishte gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.
Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht kur Prokuroria Speciale kishte vënë nën pranga grupin kriminal nga Kosova.
Gazeta Insajderi kishte siguruar dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se të dyshuarit mjetet falso të identifikimit i bënin në forma blanko dhe të mbushura. Aparaturat për falsifikim dokumentesh organet e rendit i kishin gjetur në një shtëpi në lagjen “Qendresa” në Prishtinë.
Si pasojë, ishin arrestuar dy persona babë e bir, Arif Krasniqi dhe Flamur Krasniqi ndërsa ishin në kërkim edhe tetë persona të tjerë.
Arif Krasniqi po dyshohet për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit”.
I pandehuri në fjalë ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai ishte në mesin e 157 emrave të ish-pjesëtarëve të UÇK’së që po kërkoheshin nga Serbia nëpërmjet INTERPOL-it.
Prokuroria Speciale po ashtu bën të ditur se Policia të dyshuarin e parë, Flamur Krasniqin, e kishte kapur në flagrancë në Veternik të Prishtinës përgjatë një kontrolli rutinor. Në pikapin e tij, ai po barte gjithsej 16 çanta me material për falsifikim dokumentesh.

“Policia e Kosovës ka ndaluar personin e dyshuar te Flamur Krasniqi i cili po e drejtonte automjetin Pikap ngjyrë e bardhë, në te cilin i kishte të ngarkuara 16 çanta (kufera) të mbushura me dokumente të ndryshme blanko (te zbrazëta) dhe të mbushura, si pasaporta, patentshofera, etj të shteteve të ndryshme të botës si dhe material (hologram) qe shërben për prodhimin e dokumenteve te falsifikuara, po ashtu pasi është kryer kontrollimi i një shtëpie ne lagjen Qëndresa në të njëjtin objekt janë gjetur edhe aparatura të ndryshme për prodhimin e atyre dokumenteve te dyshuara te gjetura tek i pandehuri”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka parë Insajderi.
Flamur Krasniqi po dyshohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit”.
Kush janë personat tjerë të përfshirë në këtë rrjet?
Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.
“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.
Sipas Mbretërisë së Bashkuar, personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”. /Gazeta Insajderi/