Valon Prebeza, kryetar i sapozgjedhur i Komunës së Fushë Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, ka konfirmuar raportimin e Insajderit se kryesuesi i Kuvendit Komunal është zgjedhur edhe me votën e Listës Serbe.
Partia e Prebezës në qendër deklarohet kundër çdo bashkëpunimi me Listën Serbe, madje kishte votuar kundër certifikimit të saj për pjesëmarrje në zgjedhje, duke e cilësuar si organizatë “terroriste”.
Por, kur u deshën votat për pushtetin lokal, duket se një bashkëpunim i heshtur nuk u pa problem.
Vlonjat Hasani i LVV-së u zgjodh me tri votat e PDK-së. Rrahim Terrnava, Ermal Dumani dhe Aida Alimi votuan për kryesuesin nga radhët e LVV-së, së bashku me anëtarët e kryesisë. Pro ka votuar edhe një asamblist i LDK-së.
Për të siguruar kuorumin, votën e tij e futi në kuti edhe Radoman Dodoreviq, asamblist i Listës Serbe.
Se vota e Dodoreviqit ishte pro, e konfirmoi vetë Prebeza përmes një njoftimi në Facebook.
“Ndërkaq, në seancën e sotme ne kemi marrë 20 vota PËR, ku përveç nga koalicioni PËR kanë votuar edhe 3 asamblistë nga PDK, 1 nga LDK, 1 Nisma, 1 ZD, 1 PLE dhe 1 nga Lista serbe”, shkroi ai.
Ai shtoi se nuk ua kanë kërkuar votën, por se ajo u dha vullnetarisht:
“Pra, askush s’i ka kërkuar Listës serbe që të na mbështesë e votojë, e as nuk kemi koalicion me ta, sikurse mund ta shihni që vota PËR ka pasur nga të gjitha subjektet përfaqësuese në Kuvendin Komunal. Këta që sot bëjnë zhurmë në fakt ishin edhe në zgjedhjet lokale e qëndrore ata që donin certifikimin e Listës Serbe”, tha ai.