Nxënëset e moshës së mitur të shkollës “Nënë Tereza”, në Vrandioll, kanë qenë cak i ngacmimeve seksuale nga një punëtor teknik.
Gazeta Insajderi ka pranuar disa informacione që punëtori Teknik i shkollës, me inicialet H.J ka ngacmuar një vajzë të mitur në nëntor të këtij viti, duke i treguar video pornografike në telefon.
Sipas denoncimeve, punëtori Teknik, i shkollës, me inicialet H.J vazhdimisht ka përdorur gjuhë të papranueshme ndaj te miturave për pamjen e tyre fizike, përfshirë shprehjet se ‘u qenkan rritur të pasmet’ dhe ‘u qenkan rritur gjokset’.
Drejtori i shkollës “Nënë Tereza”, Milaim Islami, në Vranidoll ka thënë për Insajderin se gjatë mandatit të tij nuk ka pasur ankesa të mëparshme për cenim të integritetit moral për punëtorin Teknik, përveç rasteve të papërgjegjshmërisë në kryerjen e detyrave të punës, për të cilat, siç thekson, ai është ndëshkuar disa herë.
Por menjëherë në vijim të deklaratës së tij të dhënë për Insajderin, drejtori bie në kundërshtim me fjalët e ti.
Ai nuk e mohon që punëtori Teknik ka një rast për ngacmim seksual. Sipas drejtorit, pavarësisht se deklarimet e palëve të përfshira në incident nuk përputhen plotësisht, shkolla ka ndërmarrë masa që në ditën e parë që është marrë informacioni, duke e proceduar rastin në Komisionin Disiplinor të DKA-së.
Ndryshe nga fjalët e drejtorit, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se i njëjti është arrestuar dje dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për veprën penale “OFRIM I MATERIALIT PORNOGRAFIK i PERSONAVE NËN 16 VJEÇ”.
Ndersa Drejtoria Komunale e Arsimit ka konfirmuar për Insajderin se rasti është vlerësuar si shkelje e rëndë dhe se institucionit arsimor i është rekomanduar që punëtorin teknik ta dërgojë para Komisionit Disiplinor.
Sipas DKA-së, Komisioni Disiplinor në nivel komune do ta trajtojë çështjen me seriozitet maksimal dhe do të marrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, Drejtoria ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim të mëhershëm nga drejtori i shkollës apo nga ndonjë palë tjetër lidhur me punëtorin në fjalë.
Për më shumë detaje ndiqni videon në vazhdim: