Hysen Sali Cekaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.
Përmes një deklarate drejtuar familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai tha se vendimi vjen për shkak të përgjegjësive familjare, veçanërisht ndaj nënës së tij, e cila, sipas tij, ka nevojë më shumë se kurrë për praninë dhe kujdesin e tij.
“Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota – ato nuk më kanë munguar kurrë. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës.
Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi – mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar. Përmes kësaj deklarate, dua t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë, Kosova jonë, ka aq shumë nevojë.
Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehem edhe më fuqishëm, si në garë ashtu edhe në angazhimet e drejtpërdrejta për LDK-në dhe për Kosovën”, shkruan tutje ai.