Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje “të zorit” dhe jo nga dëshira, duke shtuar se procesi është rezultat i bllokadës institucionale të krijuar pas zgjedhjeve të fundit.
Në një postim Facebook, Haradinaj tha se Kosova kishte mbajtur zgjedhje të mira në shkurt, por sipas tij, subjekti që doli i pari nuk e realizoi mandatin për formimin e institucioneve.
“Ne i kemi mbajtur një palë zgjedhje të mira në shkurt të këtij viti, por ata që dolën të parët, në vend që ta realizojnë rezultatin e tyre e t’i krijojnë institucionet, u përcaktuan për bllokadë. E shkelen me këmbë vullnetin qytetar dhe e bllokuan shtetin”, u shpreh ai.
Haradinaj tha se zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë për të kapërcyer situatën e krijuar.
“Këto zgjedhje janë rruga për të dalë nga logjika e bllokadës dhe unë jam i bindur se ky drejtim do të marrë fund një herë e mirë! Krah teje e kundër bllokadës!”, shkroi ai.