Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar lidhur me një ngjarje në fshatin Grabovc të Pejës, ku një person humbi jetën.
Sipas raportit zyrtar të inspektimit, ngjarja ka ndodhur më 9 dhjetor 2025 brenda një shtëpie private, e cila është në pronësi të një qytetari që jeton jashtë vendit. Viktima ishte vëllai i pronarit dhe nuk ishte i angazhuar si punëtor në objekt, shkruan Insajderi.
“Nga deklarimet e marra nga inspektorët dhe palët e pranishme (Policia) dhe nga kamerat e sigurisë, është vërtetuar se askush nga punëtorët nuk ka punuar në pjesën e brendshme të shtëpisë në momentin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e inspektoratit.
Inspektorati shton se nuk ekzistonte marrëdhënie pune mes viktimës dhe ndonjë punëdhënësi, duke përjashtuar kështu çdo lidhje me Ligjin për Punën dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Për këtë arsye, rasti nuk u klasifikua si aksident në punë. /Insajderi.org/