Insajderi
Lajme

Policia e Kosovës mbyll fushatën “16 Ditët e Aktivizmit” me mesazh të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore

Insajderi
10 December 2025 - 18:46
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Policia e Kosovës mbyll fushatën “16 Ditët e Aktivizmit” me mesazh të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës, përmes Divizionit të Policimit në Bashkësi/Drejtorisë për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, ka përmbyllur sot fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, e cila u zhvillua nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor 2025 në të gjitha komunat e vendit.

Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të projektit “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, Policia e Kosovës ka realizuar një sërë aktivitetesh vetëdijësuese në nivel vendi, duke përfshirë shfaqjen e video-spoteve sensibilizuese, si dhe shpërndarjen e fletushkave dhe posterave informues. Qëllimi ishte rritja e ndërgjegjësimit për raportimin e dhunës në familje dhe ofrimin e mbrojtjes për viktimat.

Përmes angazhimit të vazhdueshëm të njësiteve të Policimit në Bashkësi, janë zhvilluar takime informuese me qytetarë, nxënës, përfaqësues lokalë dhe institucione partnere, me fokus të veçantë parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Në shenjë solidariteti dhe përkushtimi institucional, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës u ndriçua me dritë portokalli nga ora 17:00 deri në 24:00, si simbol i mbështetjes globale për fushatën kundër dhunës me bazë gjinore. Ky aktivitet përmbyllës u realizua me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke reflektuar angazhimin e përbashkët institucional në luftimin e dhunës dhe mbështetjen e viktimave.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin, identifikimin dhe trajtimin profesional të të gjitha formave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me komunitetin, institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Policia thekson se lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nuk kufizohet në 16 ditë – ajo është një përgjegjësi e përditshme dhe një përkushtim i vazhdueshëm.

Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo rast dhune, duke telefonuar në: 192, në linjën e veçantë 0800 19999, ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark