Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke deklaruar se partia është përkrahur tej mase gjatë viteve dhe se tani duhet të kalojë në opozitë.
Sipas Arifit, një zhvendosje e tillë do t’i mundësonte Kosovës hapësirë për reflektim dhe do ta ndihmonte vendin të dalë nga, siç e quajti ai, bllokada politike në të cilën gjendet.
Ai gjithashtu iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë në interes të Kosovës dhe jo për Vetëvendosjen, nëse synohet tejkalimi i krizës aktuale.
“S’ka votë për VV-në! E keni mbivlerësuar dhe ndër vite e keni përkrahur më shumë sesa duhet! Kësaj radhe lëreni në opozitë, ndoshta reflektojnë pak. Kosova nuk mund të ngecë pafundësisht në të njëjtën bllokadë. Është koha të shihet situata drejt, pa inate. Kokëfortësia nuk i zgjidh problemet, murit nuk i bihet me kokë, sepse vetëm dëmtohesh vet. Votoni për të mirën e Kosovës, e assesi VV-në, që vendi të dalë nga kriza!”, ka shkruar ai në Facebook.