Katër persona të dyshuar për një rast të rëndë pengmarrjeje në qytetin e Vlorës janë shoqëruar nga policia gjatë një aksioni të zhvilluar sot. Dyshohet se ata kishin mbajtur peng për disa ditë një të ri nga Kosova, me qëllim gjobëvënieje apo përfitimi të pasurisë së tij.
Sipas informacioneve të para, të dyshuarit, të cilët janë nga fshatrat e Lumit të Vlorës, e kishin mbajtur kosovarin të izoluar në një banesë pranë Rrugës së Re. Madje, njëri prej personave të shoqëruar është gjithashtu nga Kosova. Grupi i dyshuar i kishte kërkuar viktimës 70 mijë euro, ndërsa ai ishte mbajtur peng prej rreth dy javësh dhe mendohet se ka qenë i dhunuar, raportoi Pamfleti.
Rasti është zbuluar falë motrës së të riut, e cila jeton në Suedi. Ajo ka njoftuar Policinë e Vlorës, duke ndihmuar në lokalizimin e banesës ku mbahej peng vëllai i saj, çka çoi në ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit dhe shoqërimin e katër personave të përfshirë.