Sistemi i drejtësisë në Kosovë po përballet me një krizë të thellë besimi, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për anulimin e procesit të rekrutimit të Prokurorëve të Shtetit. Grupi i kandidatëve, shumica e të cilëve kishin përfunduar me sukses fazat e vlerësimit, ka lëshuar një reagim të fuqishëm dhe të detajuar, duke shprehur shqetësimin e thellë dhe duke paralajmëruar ndjekje ligjore në të gjitha nivelet.
Reagimi formal, i dërguar sot përmes postës elektronike tek institucionet kryesore vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë zyrtarë të lartë të BE-së, EULEX-it, OSBE-së, Ambasadës së SHBA-së, si dhe adresave zyrtare të Prokurorisë Speciale, e quan vendimin e KPK-së si të “papritur” dhe “arbitrar”, i cili ka ardhur në një fazë shumë të avancuar të procesit.
Shkelja e thellë e parimeve ligjore
Procesi i rekrutimit kishte nisur sipas Rregullores Nr.02/2022 dhe ishte monitoruar që në fillim nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Kandidatët theksojnë se kishin investuar kohë dhe burime në përgatitje profesionale, me pritshmërinë legjitime se procedura do të zhvillohej dhe përfundonte në përputhje me ligjin.
Aktualisht, 28-të kandidatë kishin kaluar me sukses testin kualifikues me shkrim. Anulimi i procesit pikërisht në këtë stad, kur shumica e kandidatëve kishin përfunduar edhe fazën e intervistimit (e cila ishte pezulluar më 17.11.2025), përbën sipas tyre një “ndërhyrje serioze që cënon parimet themelore të sigurisë juridike, transparencës, barazisë së trajtimit dhe besimit të ligjshëm të kandidatëve në institucionet publike”.
Kandidatët ngrenë dyshime të forta se vendimi erdhi si pasojë e “zhvilluara kohëve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të Këshillit.
Konflikti i Interesit dhe Vendimmarrja e Paligjshme
Fokusi kryesor i reagimit mbetet tek dyshimet për konflikt interesi dhe shkelje e integritetit institucional. Kandidatët vënë në dukje se në vendimmarrjen për anulimin e procesit kanë marrë pjesë edhe anëtarë të KPK-së, të cilët, sipas rrethanave faktike dhe dispozitave ligjore, duhej të ishin vetëpërjashtuar pasi nuk ishin në një situatë të pastër nga konflikti i interesit.
“Pjesëmarrja e tyre në shqyrtim me votim përbën shkelje të parimeve të paanshmërisë, objektivitetit dhe integritetit institucional, si dhe bien ndesh me obligimin ligjor për vetëpërjashtim nga vendimmarrja në raste të tilla,” nënvizohet në reagim.
Mungesa e vetëpërjashtimit, sipas kandidatëve, ndikon drejtpërdrejt në vlefshmërinë e vendimit, duke e bërë atë të kontestueshëm si nga aspekti procedural, ashtu edhe ai material. Ata shkojnë më tej duke pretenduar se rrethanat e vendimit rezultojnë me “elemente serioze dyshimi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, me qëllim të ndikimit të interesave personale ligjore në një proces që duhet të jetë ekskluzivisht meritokratik.
Thirrje për Vetting institucional dhe përgjegjësi penale
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për funksionimin e sistemit të drejtësisë, kandidatët kanë vendosur të ndjekin dy rrugë ligjore kryesore:
Denoncimi në APK: Do të iniciohet procedurë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shqyrtimin e rrethanave lidhur me konfliktin e interesit
Adresim në Prokurorinë Speciale: Kjo çështje do t’i adresohet Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale të mundshme të zyrtarëve të KPK-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kandidatët i kanë bërë thirrje gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë që kanë monitoruar procesin – EULEX-it e OSBE-së – që të reagojnë publikisht lidhur me anulimin dhe rrethanat shoqëruese, pasi angazhimi i tyre është i domosdoshëm për garantimin e llogaridhënies institucionale dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.
Ata u kujtojnë Prokurorëve të Shtetit obligimin e tyre të lartë etik dhe kushtetues për të qenë të guximshëm, të pavarur dhe të reagojnë ndaj çdo shkeljeje të ligjit, sidomos kur kjo ndodh brenda institucioneve të drejtësisë.
Përfundimisht, kandidatët kërkojnë me këmbëngulje nga Këshilli Prokurorial i Kosovës:
Të rishqyrtojë vendimin për anulimin e procesit të rekrutimit;
Dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e procesit për kandidatët që kanë kaluar fazat paraprake të vlerësimit.
Për më shumë, lexoni komplet tekstin e reagimit:
REAGIMI I KANDIDATËVE PËR PROKURORË TË SHTETIT NDAJ ANULIMIT TË PROCESIT TË REKRUTIMIT TË PROKURORËVE
Ne, grupi i kandidatëve për prokurorë të shtetit, pjesëmarrës në procesin e rekrutimit të shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me vendimin e KPK-së për anulimin e këtij procesi, të marrë në kuadër të mbledhjes së 280-të të Këshillit.
Procesi i rekrutimit ka qenë në një fazë të avancuar të zhvillimit. Kandidatët pjesë e këtij reagimi kanë kaluar me sukses fazat thelbësore të konkurrimit, përfshirë testin kualifikues dhe testin me shkrim, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre kanë përfunduar edhe fazën e intervistimit. Kjo fazë nuk u përmbyll për shkak të vendimit të papritur për anulimin e procesit.
Këtij vendimi arbitrar padyshim se i kanë paraprirë një sërë ngjarjesh të zhvilluara kohëve të fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të Këshillit.
Pikërisht në këtë periudhë, me datë 17.11.2025, u pezullua papritur faza e intervistimit për kandidatët që ishin ende në pritje, ndonëse shumica e kandidatëve tashmë e kishin përfunduar këtë fazë të procesit.
Anulimi i procesit në këtë stad të avancuar përbën një ndërhyrje serioze që cënon parimet themelore të sigurisë juridike, transparencës, barazisë së trajtimit dhe besimit të ligjshëm të kandidatëve në institucionet publike. Kandidatët kanë investuar kohë, përgatitje profesionale dhe përkushtim të përmbushjen e kritereve dhe pjesëmarrjen në këtë proces, duke u bazuar në pritshmërinë e ligjshme se procedura do të zhvillohej dhe do të përfundonte në përputhje me Rregulloren Nr.02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit.
Për më tepër, në procesin e vendimmarrjes për anulimin e procesit të rekrutimit kanë marrë pjesë edhe anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilët, sipas rrethanave faktike dhe dispozitave ligjore në fuqi, kanë qenë në situatë të pastër të konfliktit të interesit. Pjesëmarrja e tyre në shqyrtim me votim përbën shkelje të parimeve të paanshmërisë, objektivitetit dhe integritetit institucional, si dhe bien ndesh me obligimin ligjor për vetëpërjashtim nga vendimmarrja në raste të tilla.
Mungesa e vetëpërjashtimit ndikon drejtpërdrejt në ligjshmërinë dhe vlefshmërinë e vendimit, duke e bërë atë të kontestueshëm si nga aspekti procedural, ashtu edhe material.
Nga rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim rezultojnë gjithashtu elemente serioze dyshimi për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, veçanërisht në aspektin e tejkalimit të kompetencave ligjore dhe ndikimit të mundshëm të interesave personale ligjore të palëve të treta në një palë që duhet të jetë ekskluzivisht profesional dhe meritokratik.
Në këtë kontekst, ju informojmë se do të iniciohet procedurë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shqyrtimin e rrethanave që lidhen me konfliktin e interesit dhe integritetin institucional. Po ashtu, do të ndërmerren hapa për adresimin e kësaj çështjeje pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të vlerësimit të përgjegjësisë penale të mundshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe faktin se procesi i rekrutimit të prokurorëve është monitoruar nga fillimi deri në këtë fazë nga përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ne i ftojmë këta aktorë që të reagojnë publikisht lidhur me anulimin e procesit dhe me rrethanat që e kanë shoqëruar këtë vendim.
Angazhimi i reagimi i tyre është i domosdoshëm për garantimin e llogaridhënies institucionale si dhe për ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.
Funksioni i prokurorit të shtetit përfaqëson një obligim të lartë etik dhe kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë, drejtësisë dhe interesit publik. Prokurori duhet të jetë i guximshëm, i pavarur dhe i vendosur për të reaguar sa herë që vërehen shkelje të ligjit, konflikte interesi apo vendimmarrje arbitrare, veçanërisht kur këto ndodhin brenda vetë institucioneve të drejtësisë. Heshtja përballë padrejtësisë do të përbënte dështim moral dhe profesional, sepse nëse edhe në një proces rekrutimi, i cili duhet të jetë shembull i transparencës, meritokracisë dhe barazisë së trajtimit, tolerohen shkeljet pa reagim, atëherë me të drejtë lind dyshimi se çfarë drejtësie dhe çfarë mbrojtjeje mund të presin qytetarët e zakonshëm nga një sistem që nuk ka guxim të mbrojë parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Duke marrë parasysh të gjitha si më lartë, ne kërkojmë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që:
të rishqyrtojë vendimin për anulimin e procesit të rekrutimit;
dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të mundësojë vazhdimin dhe përfundimin e procesit të rekrutimit për kandidatët që kanë kaluar fazat paraprake të vlerësimit.