Insajderi
Lajme

Vrasja në Zllakuqan pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, gruaja e të ndjerit thotë se burri i saj kishte plagën në qafë

Insajderi
18 December 2025 - 17:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vrasja në Zllakuqan pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, gruaja e të ndjerit thotë se burri i saj kishte plagën në qafë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Skender Krasniqi për vrasjen e F.Z., në gusht të 2024-ës në Zllakuqan të Lipjanit, pas mosmarrëveshjes së fëmijëve, u dëgjua bashkëshortja e viktimës- dëshmitarja M.Z., e cila deklaroi se burrin e kishte parë në rrugë me plagë në qafë, nga ku edhe po i dilte gjaku.

“Lëndime ka pas në qafë”, tha M.Z., raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitarja tregoi se së bashku me nusen e të birit kishin shkuar për të kuptuar se çka ka ndodh me një familjar të tyre, që ishte ther nga një familjar i tani të akuzuarit Krasniqi.

Ajo tha se gjatë rrugës e kishte parë tani të ndjerin F.K., i cili sipas saj, ende ishte duke qëndruar në këmbë dhe po e mbante plagën në qafë me duar, por se para se të shkonte personalisht pranë tij, F.K., veçse kishte rënë në tokë.

Sipas dëshmitares, distanca mes shtëpisë së të akuzuarit dhe të ndjerit, dhe vendit ku e kishte parë ishte afërsisht 100 metra, por thotë se mund të jetë gabim pasi që situata, siç e përshkruan ajo, ishte situatë tmerri. Tha se bashkëshorti i saj vdiq në vendin e ngjarjes.

Dëshmitarja M.Z., tha se tani të ndjerin F.K., e kishte parë paraprakisht kur ishte duke shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Krasniqi dhe se sipas saj, në duar nuk kishte pas asgjë.

Ajo shtoi se nuk e kishte këshilluar që të mos shkonte tek i akuzuari Skender Krasniqi, ngase thotë se asnjëherë nuk kishin probleme.

Lidhur me raportet familjare mes tyre dhe të akuzuarit, M.Z., tha se kanë qenë të mira sa që sipas saj ishin të ftuar nga familja e të akuzuarit në një rast fejese.

Për problemet paraprake mes familjarit të tyre me atë të familjes Krasniqi, dëshmitarja tha se nuk e di se të çfarë natyre ishin ato.

Paraprakisht, u dha fjala hyrëse nga prokurori Menduhi Kastrati, i cili deklaroi se nga provat e grumbulluara e të propozuara si në aktakuzë, do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se i akuzuari Krasniqi ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Mahmut Halimi në fjalën hyrëse deklaroi se e përkrah në tërësi prokurorin e shtetit dhe se sipas tij, përpos provave të tjera, me ekspertizë ligjore do të vihet në përfundimin e saktë të kualifikimit ligjor të veprave penale.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Ilir Ramaj tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor përmes provave do të vërtetohet se klienti i tij ka vepruar në rrethana të mbrojtjes së nevojshme.

Në seancën fillestare më 15 korrik 2025, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 30 qershor 2025, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se më 7 gusht 2024, në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjes paraprake që kishte ndodhë në të njëjtën ditë në mes djalit të tij- të miturit T.K., me të miturin A.Z., djalin e tani i dëshmitarit B.Z., ky i fundit nip i tani të ndjerit F.Z., në lidhje me komunikimet e tyre në rrjetin social Tik Tok, ku i mituri T.K përmes thikës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të miturit A.Z., derisa tani i ndjeri F.Z ishte kthyer nga puna, posa kupton se çfarë kishte ndodhur, niset drejt shtëpisë së të pandehurit Skender Krasniqi bashkë me dëshmitarin I.Z., për të kuptuar dhe sqaruar se çfarë kishte ndodhë.

Aktakuza thotë se dëshmitari I.Z., kishte biseduar me dëshmitaren N.K., e cila i kishte thënë të largohet se nuk e di çfarë kishte ndodhur, e më pas nga shtëpia del tani i akuzuari në drejtim të portës së oborrit ku ishin tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitarët I.Z., dhe F.K. E më pas ishte afruar edhe dëshmitari B.K.

Në aktakuzë thuhet se pasi përfundojnë bisedën, tani i ndjeri F.Z., dhe dëshmitari I.Z., nisen nga porta e shtëpisë së Krasniqit për në rrugën e fshatit dhe vërejnë të miturin T.K., duke dalë nga pjesa e sipërme e oborrit, e që F.Z dhe I.Z., të mllefosur nisen në drejtim të të miturit T.K. dhe hyjnë në oborrin e të pandehurit, ku kishte filluar fjalosje e përcjellë me bërtima, e ku i mituri T.K., në dorë mban një thikë, për të cilën i ishte kërkuar ta lëshonte nga dora.

Sipas aktakuzës, në një moment ndërhyjnë dëshmitarët N.K., dhe B.K., e që palët kishin filluar të ndahen, I.Z., u nis në drejtim të rrugës e pas tij edhe tani i ndjeri F.Z. Por, aty thuhet se i pandehuri Skender Krasniqi merr thikën nga i mituri T.K, dhe me dashje për ta privuar nga jeta tani të ndjerin F.Z., e godet dy herë radhazi, e që për pasojë i shkakton lëndime vdekjeprurëse, e që rreth orës 13:02 minuta dërgohet pa shenja jete në QMF në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit, ku konstatohet vdekja e tij.

Më këtë, i akuzuari Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas pikës dy të kësaj aktakuze, i akuzuari Skender Krasniqi akuzohet se ka mbajtur në posedim  të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, një thikë të cilën e ka përdorur për t’i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse tani të ndjerit F.Z., dhe tri thika të tjera, të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpisë dhe oborrit të të pandehurit dhe i janë sekuestruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366. paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark