Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dr. Diana Shehu Devaja, ka vijuar fushatën e saj zgjedhore me vizita në terren, duke u ndalur këtë herë në qytetin e Gjakovës. Gjatë takimeve me afaristë dhe qytetarë, ajo shpalosi zotimet e saj për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Shehu Devaja, e cila mban numrin 108 në listën e PDK-së, u shpreh se fokusi i saj kryesor do të jetë mbështetja e njerëzve punëtorë dhe bizneseve që përbëjnë shtyllën e ekonomisë së vendit.
“Unë, Dr. Diana Shehu Devaja, si kandidate për deputete, do të jem zë i fortë për bizneset dhe për gratë në Kuvend. Gratë meritojnë përfaqësim real dhe vendimmarrje të barabartë”, ka deklaruar kandidatja për deputete nga radhët e PDK’së.
Gjatë vizitës në Gjakovë, kandidatja potencoi nevojën urgjente për një qasje të re të shtetit karshi sektorit privat. Gjegjësisht, ajo u zotua për partneritet me biznese, fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë dhe heqjen e TVSh-së për energjinë elektrike.