Bernard Tahirbegolli, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka shpalosur një pjesë të vizionit të tij për reformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Përmes një deklarate, Tahirbegolli ka vënë theksin te barra e rëndë financiare që po u shkaktohet familjeve kosovare nga shpenzimet mjekësore.
Sipas Tahirbegollit, i cili garon me numrin 53 në listën e PDK-së, situata aktuale ku qytetarët detyrohen të shpenzojnë pjesë të madhe të të hyrave të tyre për shërim është e papranueshme.
“Një sistem i drejtë duhet ta mbrojë familjen nga shpenzimet e rënda shëndetësore, që sot shpesh kalojnë mbi 10% të buxhetit mujor,” ka deklaruar ai, duke shtuar se shëndeti duhet të jetë një siguri e garantuar dhe jo një “barrë financiare”.