Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV), duke iu referuar njoftimit të pranuar nga Komisioni Evropian – Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF), ka njoftuar se gjatë kontrollit të kryer në një ngarkesë të produktit MDM pule, të importuar nga Polonia, me prodhues CEDROB S.A., Ubojnia Drobiu Ujazdówek, dhe të importuar nga kompania KAJMAK SHPK, Prizren, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
“Pas pranimit të njoftimit nga RASFF dhe me kërkesë të kompanisë KAJMAK SHPK, përmes inspektimeve të realizuara nga AUV, është vërtetuar prania e salmonelës në sasinë 2064 kilogramë mish pule. Pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importuar është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore”, thuhet në njoftimin e AUV.