Insajderi
Hulumtime/Analiza

Plasin ankesat në BQK për bonuse, Guvernatori Ismajli kërkoi ‘fshehtësi’, Sindikata konfirmon shqetësimet e stafit

Insajderi
26 December 2025 - 13:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Plasin ankesat në BQK për bonuse, Guvernatori Ismajli kërkoi ‘fshehtësi’, Sindikata konfirmon shqetësimet e stafit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gazeta Insajderi ka siguruar komunikime ekskluzive brenda Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat zbulojnë përplasje mes stafit dhe Guvernatorit Ahmet Ismajli lidhur me shpërndarjen e bonuseve. Përderisa Guvernatori tentoi ta mbante procesin të mbyllur dhe “sekret”, Sindikata konfirmon për Insajderin se zyra e tyre ka pranuar ankesat e punëtorëve të pakënaqur

Gazeta Insajderi

Një skandal i ri po zien brenda institucionit më të lartë financiar në vend. Dokumentet dhe e-mailet që posedon Gazeta Insajderi dëshmojnë se shpërndarja e bonuseve të performancës për vitin 2023, të shpërndara në fillimit 2024, ka krijuar çarje brenda BQK-së.

Në qendër të këtij debati është vendimi i Guvernatorit Ahmet Ismajli për të aplikuar një “shpërndarje lineare” (të barabartë) të bonuseve, duke anashkaluar kriteret e performancës individuale, dhe kërkesa e tij e pazakontë që ky komunikim të mbetet “shumë i mbyllur”.

Gjithçka nisi me një shkresë zyrtare që Sindikata e Punëtorëve (SPBQK) i dërgoi menaxhmentit më 4 Mars 2024. Insajderi sjell të plotë e-mailin e parë që alarmoi për parregullsitë:

“E nderuar,

Fillimisht, ju falënderojmë për bonusin e këtij viti, i cili ka dallim pozitiv nga bonuset e viteve paraprake. Megjithatë, shprehim shqetësim rreth dallimeve në vlerë të bonusit. Që nga e marta, dita kur është shpërndarë bonusi, kemi pranuar ankesa nga anëtarët e sindikatës për arsye se janë evidentuar dallime në bonuse për punëtorët e BQK-së. > Meqenëse në të kaluarën nuk ka pasur kritere të qarta të shkruara, bonuset janë shpërndarë në mënyrë lineare për pozitën përkatëse. Andaj, marrë parasysh diferencat e evidentuara këtë vit, ju lutem na dërgoni metodologjinë me kriteret e vendosura për kalkulimin dhe shpërndarjen e bonuseve këtë vit.

Ju rikujtojmë që ne ende jemi në pritje të një përgjigje të kërkesave tona sipas emailit të datës 31 janar 2024 dhe 21 shkurt 2024.”

Guvernatori Ahmet Ismajli, në përgjigjen e tij, tentoi ta zbuste situatën duke deklaruar se kjo ishte “shuma më e lartë e bonusit e shpërndarë ndonjëherë”, duke arritur në rreth 56% të pagës mesatare bruto.

Megjithatë, ai pranoi se shpërndarja ishte bërë në mënyrë lineare dhe se vetëm një pjesë e vogël prej 6.5% ishte ndarë për “kontribut individual” – pikë kjo që ngriti dyshime për favorizime.

Ajo që bie më së shumti në sy është përpjekja e Ismajlit për të izoluar këtë debat. Në fund të e-mailit të tij, Guvernatori kishte lënë një porosi të qartë:

“P.S. Ju lutem ky komunikim të jetë i brendshëm dhe i drejtuar vetëm për drejtuesit e sindikatës”.

Pasi Gazeta Insajderi i dërgoi pyetje Sindikatës së BQK-së, kjo e fundit ka thyer heshtjen. Në një përgjigje zyrtare për gazetën, ata konfirmojnë se pakënaqësia është ende evidente.

“Ju njoftojmë se po, ka pasur një numër ankesash dhe shqetësimesh nga ana e stafit në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së bonuseve të performancës. Këto shqetësime janë shqyrtuar nga Kryesia e Sindikatës dhe janë përcjellë pranë menaxhmentit të BQK-së”, thuhet në përgjigjen e Sindikatës.

Insajderi i ka pyetur se a ka pasur ankesa edhe per bonuset e vitit 2024, të shpërndara në filllimvit 2025, dhe ata nuk e kanë mohuar ekzistencën e ankesave edhe për këtë periudhë.

Ata megjithatë kanë zgjedhur të mos japin detaje për metodologjinë, duke thënë se “kompetenca për dhënie të përgjigjeve të plota dhe zyrtare i takon menaxhmentit të BQK-së”.

Në një përgjigje zyrtare për Gazetën Insajderi, BQK-ja ka tentuar të arsyetojë këtë veprim. Sipas tyre, Guvernatori Ismajli, i cili mori mandatin në gusht të vitit 2023, nuk ka pasur kohë fizike për të rishikuar politikat e atij viti.

“Referenca juaj ka të bëjë me përfitimet e vitit 2023, i realizuar në fillim të vitit 2024, mbi bazën e rregullativës që ishte në fuqi dhe praktikave të mëparshme pikërisht në bazë lineare dhe proporcionale”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

BQK-ja shton se ishte pikërisht menaxhmenti i ri ai që identifikoi se kjo politikë duhej ndryshuar: “Guvernatori aktual ka marrë mandatin në mes të gushtit 2023, prandaj edhe s’ka pasur kur të rishikohen politikat e atij viti”.

Banka Qendrore po ashtu ka sqaruar se nuk shfrytëzon fonde nga buxheti i shtetit për këto shpërblime, duke theksuar se llogaridhënia e tyre realizohet përmes raporteve vjetore financiare të audituara.

Megjithatë, kjo përgjigje nuk sqaron plotësisht pse u kërkua fshehtësi brenda institucionit dhe pse Sindikata konfirmon për Insajderin se ankesat e stafit vazhdojnë të jenë evidente edhe për procesin e fundit.

“Ju njoftojmë se po, ka pasur një numër ankesash dhe shqetësimesh nga ana e stafit në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së bonuseve… Këto shqetësime janë përcjellë pranë menaxhmentit”, ka deklaruar Sindikata.

BQK-ja pretendon se gjatë vitit 2024 janë nxjerrë politika të reja që do të mundësojnë vlerësimin e performancës individuale me “kritere të qarta profesionale”. Mbetet të shihet nëse bonuseve që do të shpërndahen në vitin 2025 do t’u vijë fundi “linearitetit” apo nëse do të vazhdohet me praktikat që çuan në përplasje të hapur mes Guvernatorit dhe punonjësve të tij./ Gazeta Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark