Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në Kuvend i është drejtuar qytetarëve me një mesazh publik, duke shpalosur qëndrimet e tij lidhur me mënyrën se si e sheh qeverisjen e vendit gjatë viteve të fundit.
Aliu, i cili në listën zgjedhore të LDK-së mban numrin 50, ka kritikuar ashpër qasjen e pushtetit aktual, duke thënë se qeverisja e Vetëvendosjes qytetarin e trajton si përfitues lëmoshe dhe jo si partner të shtetit.
“Kam mësuar se shteti nuk mbahet me improvizime dhe as me ideologji ekstreme, por me dije, përgjegjësi dhe respekt për paranë publike. Ajo që po shohim sot është një pushtet i majtë ekstrem, pa vizion zhvillimor, pa projekte të përfunduara dhe me një mentalitet që qytetarin e sheh si përfitues lëmoshe e jo si partner të shtetit”, ka deklaruar Aliu.
Ai ka folur gjithashtu për kontributin e familjes së tij në arsimimin e brezave, duke theksuar rolin e familjes Hertica në periudhat më të vështira për Kosovën.
“Miliona euro shpërndahen çdo vit nga 100 euro për të mbuluar dështimin, e jo për të ndërtuar të ardhmen. Unë vij nga një familje patriotike, nga familja Hertica. Në kohët më të errëta për Kosovën, kur armiku serb i mbylli shkollat, familja jonë hapi dyert e shtëpisë. Aty u mbajt gjallë gjimnazi ‘Sami Frashëri’ dhe Shkolla Ekonomike. Nuk e bëmë për politikë, e bëmë sepse arsimi dhe shteti nuk guxojnë të ndalen kurrë”, ka deklaruar Aliu.