Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë sonte në sheshin kryesor të Prishtinës për t’i falënderuar qytetarët pas shpalljes së fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 Dhjetorit.
“Me lejoni që të falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës që morën pjesë në zgjedhje sot dhe u bënë pjesëmarrës të kësaj feste të madhe. Jo vetëm të fitores së Vetëvendosjes e partnerëve të saj, por edhe kësaj feste të demokracisë në Republikën e Kosovës”, tha Kurti para qytetarëve.
Ai shtoi se kjo fitore nuk i takon vetëm partisë, por popullit dhe Republikës së Kosovës.
“Me datën 9 shkurt sivjet ka fituar Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partinë Guxo e partinë Alternativa, ndërkaq kësaj radhe ka fituar populli dhe Republika”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë vuri në dukje se fitorja u mundësua nga vizioni dhe programi i qeverisjes së tij gjatë katër viteve të fundit, si dhe zotimet e reja që do të përmbushen për të shërbyer qytetarëve
“Ajo çfarë e bëri të mundshme fitoren, është vizioni dhe programi, punët e mbara e të mira në këtë pothuajse 5-vjeçar dhe zotimet tona të reja të cilat do t’i përmbushim të gjitha sepse duam të ju shërbejmë juve me krejt çka dimë e mundemi, vijmë prej jush e rikthehemi tek ju sepse ju jeni kuptimi i ekzistencës së pozitave e funksioneve tona”, tha ai para qytetarëve.