
Kishte qenë një moment emocional, ai i datës 8 maj 2014. Politikani i “frymës e re” po përqafohej me politikanin e “frymës së vjetër”. Por ai përqafim ishte sinonim i “Kosovës së re”.
Dhe kështu vazhdoi deri me 25 prill 2016 kur zyrtarisht ky përqafim mirëseardhjeje u bë një përqafim lamtumirës. Veçse për dallim prej 8 majit, kur Ilir Deda përqafohej me Albin Kurtin me rastin e hyrjes së Dedës në VV, me rastin e daljes së tij nga kjo parti, përqafimi ishte me sekretarin e kësaj partie, Dardan Molliqaj.
Deda dhe Molliqaj dy personalitete krejtësisht të kundërt në koncepte politike dolën në një konferencë të përbashkët për të dhënë lajmin e ndarjes së rrugëve mes Dedës dhe VV-së.
U dha vetëm një arsyetim i kësaj ndarje: dallimet konceptuale mes Dedës dhe VV-së. Nuk u tha saktësisht se cilat janë këto koncepte, por me 8 maj 2014 Deda kishte dhënë tri arsye të forta pse po hynte në VV.
Deda kishte folur shkurt atë ditë kur hyri në VV. Dhe fokusi i tij kishin qenë pikërisht konceptet e VV-së.
Pasi kishte përmendur disa raste kur Qeveria e Kosovës atëkohë sipas tij dëshmonte se nuk kishte interesim për problemet e qytetarëve dhe sesi VV ishte e vetmja parti që mund ta bëjnë ndryshimin radikal në Kosovë.
“Përmirësimi i jetës në mënyrë dramatike asht i nevojshëm, asht i mundshëm, po asht i mundshëm vetëm me Vetëvendosjen”, kishte thënë Deda.
Por jo vetëm me VV-në do të ishte e mundur kjo. Sipas Dedës, ndryshimi radikal, ishte I mundur vetëm me Albin Kurtin, kryeministër.
“A mundemi me u ndi krenar që jemi qytetarë të Kosovës dhe që e kemi shtetin e mirë? Dy po-ja! Po me Lëvizjen Vetëvendosje dhe po me Albin Kurtin, kryeministrin e ardhshëm të Kosovës”, kishte thënë Deda me 8 maj 2014.
Deda që deri atëherë funksiononte me partinë Fryma e Re që nuk arriti të hynte në Kuvendin e Kosovës, kishte shtruar edhe një varg pyetjesh përgjigja e të cilave ishte “Po! Veç me Lëvizjen Vetëvendosje”.
Qysh në vitin 2014, Deda megjithatë e dinte se e priste shumë punë. Por e kishte një gjë të qartë: “në një anë asht Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër janë ata të cilët e kanë tregu veten për 14 vjet qysh e kanë qeverisë këtë Kosovë”.
E krejt në fund kishte shprehur bindja se fitorja e VV-së është afër.
“Momenti jonë asht 8 qershori, hajde po mobilizohemi, edhe po e ndërrojmë Kosovën në mënyrë radikale”, kishte thënë Deda duke falënderuar anëtarët e pranishëm dhe duke uruar “na priftë e mbara”.
Të njejtën gjë, Deda e tha edhe në konferencën për media kur lajmëroi se po ndahet nga VV-ja./Insajderi.com