Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka bërë një reagim me rastin e ditës së sotme që njihet si Dita e Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reflektim shtetëror.
OVL UÇK tha se për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri.
“Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe. U toleruan deklarata fyese, përçmuese dhe linçuese ndaj veteranëve të UÇK-sëU lejua që luftëtarët të etiketohen, të poshtërohen dhe të trajtohen si barrë, pa asnjë mbrojtje shtetërore. Madje, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”. Kjo është një politikë e ftohtë, e qëllimshme dhe e organizuar kundër UÇK-së”.
Aty thuhet se sot në ditën e tyre nuk është shënuar asnjë aktivitet.
“Sot, përveçse që nuk u trajtuan me dinjitet për vite me radhë, veteranët nuk u kujtuan as simbolikisht. Asnjë aktivitet shtetëror, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve nga institucionet. Kjo heshtje është qëndrim politik. Dhe ky qëndrim tregon se, fatkeqësisht, shteti po përpiqet të shkëputet nga lufta që e solli në jetë”, vlerëson OVL UÇK. Si përfundim OVL UÇK ua rikujton institucioneve: “Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti,as nga administrata,as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”, thuhet në reagim.