Insajderi
Botë

Tragjedi në Zvicër: Dhjetëra të vdekur nga zjarri në një bar në Crans-Montana, shumë të plagosur në gjendje kritike

Insajderi
02 January 2026 - 12:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Tragjedi në Zvicër: Dhjetëra të vdekur nga zjarri në një bar në Crans-Montana, shumë të plagosur në gjendje kritike
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se mund të duhen disa ditë për të identifikuar të gjitha viktimat e zjarrit shkatërrues që përfshiu një bar të mbushur me njerëz në qendrën turistike të skive Crans-Montana.

Sipas zyrtarëve lokalë, shumë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kërcënuese për jetën, shkruan Guardian, përcjell Insajderi

Rreth 40 persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu në barin “Le Constellation”, ku po festohej ndërrimi i viteve dhe ku ishin mbledhur kryesisht të rinj. Po ashtu, rreth 115 persona janë plagosur, shumë prej tyre rëndë, kanë njoftuar autoritetet.

Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar, por hetimet janë përqendruar te tavani i bodrumit të lokalit. Sipas dëshmive dhe pamjeve të publikuara në rrjete sociale, dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga shkëndija ose flakadanë të vendosur në shishe shampanje, pjesë e një shfaqjeje festive.

Kreu i qeverisë rajonale të Valais, Mathias Reynard, ka thënë se identifikimi i viktimave po bëhet përmes analizave dentare dhe ADN-së, për shkak të gjendjes së rëndë të trupave. “Asgjë nuk mund t’u komunikohet familjeve pa qenë 100% të sigurt,” është shprehur ai.

Prokuroria publike ka deklaruar se janë angazhuar burime të konsiderueshme për të identifikuar viktimat dhe për t’ua kthyer trupat familjarëve sa më shpejt. Policia ka bërë të ditur se ky proces mund të zgjasë disa ditë.

Zyrtarë shëndetësorë kanë theksuar se një numër i madh i të plagosurve ende nuk janë identifikuar, ndërsa shumë prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Sipas tyre, djegiet e rënda përbëjnë rrezik serioz për jetën në orët dhe ditët pas incidentit.

Viktimat besohet se janë të kombësive të ndryshme. Franca, Italia dhe Australia kanë konfirmuar se shtetas të tyre janë mes të plagosurve dhe të zhdukurve. Bashkimi Evropian ka ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa disa të plagosur janë transferuar për trajtim në Francë dhe Gjermani.

Banorët e Crans-Montana janë tronditur nga ngjarja. Qindra persona janë mbledhur pranë vendit të tragjedisë për të vendosur lule dhe qirinj në nderim të viktimave.

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, i cili vizitoi zonën, ka shpallur pesë ditë zie kombëtare, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga më traumatike në historinë e vendit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark