Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka aprovuar kërkesën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta vendos në listë të zezë kompaninë e taksive Tesla për tre muaj, pasi që kësaj të fundit i ishin gjetur parregullsi në tenderin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit të vitit që shkoi.
Në dokumentin e publikuar nga Gjykata e Tenderëve, thuhet se vendimi është marrë për aktivitetin e prokurimit “Auto taksi për ditën e zgjedhjeve të 12 tetorit dhe raundit të dytë”, raporton Gazeta Insajderi.
”APROVOHET, si e bazuar në dispozitën ligjore të nenit 99 par. 2 të LPP-së, kërkesa e Autoritetit Kontraktues – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurimin publik të OE E Taxi Tesla Sh.p.k, me nr: unik 811875931 – Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit: Auto taksive për ditën e zgjedhjeve te zgjedhjeve te 12 tetorit 2025 dhe rundit te dyte, me nr: te prokurimit: 320-25-8784-2-3-6, iniciuar nga AK – Komisioni qendror i zgjedhjeve dhe i njejti diskualifikohet nga pjesmarrja ne prokurimin publik per nje periudhe prej tre (3) muajve, nga data: 18.12.2025 deri me 17.03.2026”, thuhet në dokumentin e publikuar nga OSHP’ja.
Siç thotë dokumenti, Tesla nuk i është përgjigjur kërkesës së KQZ’së, e cila i ka kërkuar dorëzimin e vërtetimit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
“OE E Taxi Tesla Sh.p.k, e ka ngarkuar vertetimin e gjykates, ndersa nuk i eshte pergjigjur kerkeses se autoritetit kontraktues per dorezimin e vertetimit te ATK-se), dhe perkunder disa kerkesave OE E Taxi Tesla Sh.p.k, nuk eshte pergjigjur fare kerkeses se AK-se, me ndonje sqarim”, vijon dokumenti.
KQZ’ja kishte shpallur fitues fillimisht operatorin ekonomik Tesla për të kryer shërbimin e taksive për zgjedhjet lokale për transportimin e udhëtarëve. Vlera e parashikuar ishte tre mijë euro.
Megjithatë, edhe në vendimin për anulimin e tenderit bëhet e ditur se Tesla s’i kishte dorëzuar me kohë dokumentet e kërkuara të ATK’së nga KQZ’ja. /Insajderi.org/