Sot, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, priti në takim oficerin korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, z. Alban Haziri, për ta uruar për sukseset e tij të fundit sportive, me ç’rast ai është shpallur ndër sportistët më të dalluar në vend.
Gjatë këtij takimi, Drejtori Dibrani vlerësoi lart angazhimin profesional dhe arritjet sportive të z. Haziri, duke theksuar se suksesi i tij përfaqëson në mënyrë dinjitoze jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, z. Haziri i dhuroi Drejtorit Dibrani një fanellë sportive, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm e nderoi atë me një medalje dhe mirënjohje zyrtare, duke i uruar suksese të vazhdueshme në karrierën e tij sportive dhe profesionale.
Alban Haziri është shpallur dy vite me radhë “Hendbollisti i Vitit” në Kosovë, një vlerësim që dëshmon përkushtimin, disiplinën dhe seriozitetin e tij si në ushtrimin e detyrës zyrtare ashtu edhe në sport. Përveç punës si oficer korrektues, ai është edhe anëtar i rregullt i Kombëtares së Kosovës në hendboll, ku vazhdimisht ka treguar nivel të lartë profesional dhe sportiv.
Në nivel klubesh, Haziri ka shënuar suksese të rëndësishme, duke u shpallur Kampion i Kosovës për dy vite radhazi, në vitet 2024 dhe 2025, si dhe fitues i Kupës së Kosovës.