Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, ka nisur një aksion i gjerë policor që përfshin të gjithë territorin e Kosovës. Në këtë operacion pritet të trajtohen si të dyshuar rreth 40 persona.
Deri më tani, është arrestuar ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku. Ndërkohë, policia është në kërkim të ish-shefit të financave të kësaj ndërmarrjeje, Valon Berishës.
Burimet e Insajderit bëjnë me dije se hetimi nga Prokuroria e Prizrenit ka nisur pas raportimeve për zhdukjen e një shume prej mbi 1 milion eurosh përmes xhirollogarive të BKS-së, gjatë kohës sa Mazreku ishte në krye të detyrës. Prokuroria tashmë ka gjetur elemente të mjaftueshme për ta zgjeruar këtë hetim edhe më tej.
Gazeta Insajderi ka publikuar vazhdimisht një seri raportimesh rreth këtij skandali dhe parregullsive të tjera brenda BKS-së.