Falë bashkëpunimit dhe informacioneve të ofruara nga qytetarët, është gjetur personi i raportuar si i zhdukur, Riza (Rrustem) Thaqi, nga Prizreni.
Ai ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij më 25.12.2025, pasi sipas tyre nuk dihej për vendndodhjen e tij që nga data 23.12.2025. Pas pranimit të informatës, hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren kanë ndërmarrë menjëherë veprime të vazhdueshme në terren për disa ditë me radhë, por pa arritur rezultate.
Më pas, me autorizim të Prokurorisë, fotografitë e tij janë publikuar në faqen zyrtare nën kategorinë “Person i Zhdukur”. Pas këtij publikimi, falë informacioneve të siguruara nga qytetarët, është arritur të lokalizohet vendndodhja e tij.
Personi është marrë nga ana e Policisë dhe më pas i është dorëzuar familjarëve të tij.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunimin, ndihmën dhe informatat e ofruara lidhur me këtë rast.