Hulumtimi i thelluar i Insajderit ka zbardhur detaje të reja rreth aferës korruptive në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), e cila kap vlerën e mbi 1 milion eurove. Në kuadër të këtij hetimi, njësitet e Krimeve Ekonomike kanë kryer bastisje në zyrat e kompanisë “Reforma SH.P.K.”, e cila figuron si një nga përfituesit kryesorë të transaksioneve të dyshimta financiare.
*Artikulli është plotësuar edhe me reagimin e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë ‘Reforma’
Sipas dosjes së auditimit, skema e keqpërdorimeve përfshin zyrtarë të lartë, sikurse Sami Mazreku dhe Valon Berisha, si dhe pagesa të dëmeve që dyshohet se ishin të fryra ose pa mbulesë ligjore.
Çfarë deklaroi “Reforma SH.P.K.”?
Lidhur me këto dyshime dhe bastisjet e policisë, kompania “Reforma SH.P.K.” pati dhënë një përgjigje zyrtare për Insajderin, duke mohuar çdo parregullsi.
“Dokumentacioni ynë përfshin faturat përkatëse, deklaratat e pranimit të riparimit dhe dorëzimit të mjeteve, të cilat janë firmosur nga klientët përkatës. Kompania ka siguruar një evidencë të plotë për të gjitha transaksionet dhe ka operuar gjithmonë në përputhje me ligjin”, thuhej në deklaratën e tyre.
Lista e përfituesve të dyshuar
Përveç kompanisë, raporti i auditimit liston persona që dyshohet se kanë pranuar pagesa pa dokumentacion të plotë (shpesh pa raporte policore):
Ariana Domniku Çollaku, Yll Çollaku, Naxhije Çollaku, Naser Biri, Jetesa Biri, Ron Biri, Bardh Hoti, Mirjeta Kosumi, Agon Bardhi, Hasip Meleqi, Agim Krasniqi, Trendelinë Azemi, Lirim Ahmetaj, Kushtrim Demolli, Mentor Demolli, Egzona Gashi, Rilind Hasani, Paris Starabanja, Florent Sylejmani, Fehmi Bajrami, Faton Hajdari, Hana Rastavica, Valbonë Hoxha, Mërgim Zabeli, Leonard Rexhaj, Bajram Osmani, Enis Osmani, Besiana Murati, Valon Duraj, Suad Haliti, Adem Nasufi, Muhamet Rexhepi, etj.
Auditimi kishte konstatuar se këto transaksione jashtë procedurave standarde rrisin rrezikun për pastrim parash dhe dëmtim të fondit të kompensimit të BKS-së.
Reagimi i kompanisë
Shoqëria e Avokatëve PRO JURIS, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të autorizuar të subjektit juridik Reforma Sh.P.K., reagon publikisht dhe në mënyrë kategorike ndaj raportimeve të publikuara në disa media, me tituj dhe përmbajtje të tipit:
“Hetimi i BKS çon tek REFORMA SH.P.K., bastisje dhe dyshime për krim ekonomik ” si dhe “kinse Reforma SH.P.K, ka pas rol kyç në realizimin e veprimeve të dyshuara penale…..” të cilat përmbajnë deklarime të pavërteta, tendencioze dhe thellësisht paragjykuese.
Raportime të tilla krijojnë perceptim të rremë publik, cenojnë rëndë reputacionin afarist, integritetin profesional dhe besueshmërinë tregtare të subjektit që përfaqësojmë, duke prodhuar pasoja serioze dhe potencialisht të parikuperueshme në raport me klientët, partnerët afaristë dhe publikun në përgjithësi.
Sqarim faktik dhe juridik
Për hir të transparencës dhe korrektësisë ndaj opinionit publik, sqarojmë në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme sa vijon:
Nuk ka pasur asnjë bastisje apo veprim të ngjashëm proceduror në ambientet e shoqërisë Reforma Sh.P.K., siç pretendohet gabimisht në disa media dhe se aktiviteti biznesor është duke vazhduar normalisht pa asnjë pengesë.
Reforma Sh.P.K. nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk i atribuohet asnjë rol kyç, as i drejtpërdrejtë dhe as i tërthortë, në çfarëdo veprimi të dyshuar penalisht. Çdo tentativë për ta paraqitur këtë shoqëri si pjesë aktive ose kontribuuese në veprime të paligjshme përbën paragjykim të papranueshëm dhe shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Çështja për të cilën raportohet lidhet ekskluzivisht me dy (2) fatura plotësisht të rregullta, të vitit 2023, përkatës:
njëra në vlerë prej 23,833.15 €,
tjetra në vlerë prej 44,802.92 €,
të cilat janë lëshuar në kuadër të veprimtarisë normale ekonomike të shoqërisë, janë përpunuar përmes procedurave standarde profesionale, janë të deklaruara rregullisht pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe janë plotësisht të verifikueshme nga çdo organ kompetent.
Riparimet përkatëse janë realizuar mbi bazën e:
inspektimit paraprak teknik,
ofertimit të detajuar sipas standardeve të prodhuesit përkatës,
aprovimit të klientit,
dhe ekzekutimit të riparimeve sipas procedurave të rregullta dhe të dokumentuara.
Çmimet për secilën pjesë dhe shërbim janë të përcaktuara sipas listave zyrtare të prodhuesit dhe përfaqësojnë praktikë të zakonshme dhe legjitime të tregut.
Nuk ekziston asnjë element faktik apo juridik që do të mund të mbështeste pretendime për veprime të kundërligjshme nga ana e Reforma Sh.P.K. Dokumentacioni financiar, teknik dhe administrativ ka qenë dhe mbetet i qasshëm dhe i verifikueshëm për organet kompetente, pa asnjë pengesë apo rezervë.
Raportimet e publikuara në këtë formë përbëjnë:
dezinformim të opinionit publik,
keqinterpretim të qëllimshëm të fakteve,
si dhe paragjykim paraprak që në aspektin juridik përbën error iuris, duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe standardet elementare të raportimit profesional.
Në këtë kontekst, kërkojmë publikisht nga mediat përkatëse:
korrigjimin e menjëhershëm dhe proporcional të informatave të pavërteta të publikuara,
respektimin e parimeve të raportimit të drejtë, objektiv dhe të verifikuar,
shmangien e titujve dhe përmbajtjeve senzacionaliste që prodhojnë dëm të pajustifikuar reputacional.
Njëkohësisht, Shoqëria Reforma Sh.P.K., përmes përfaqësuesit të saj ligjor – Shoqërisë së Avokatëve PRO JURIS, rezervon të drejtën e plotë për të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore civile dhe penale, përfshirë kërkesat për kompensim dëmi, në rast të vazhdimit të publikimit apo ripublikimit të informatave të pavërteta ose paragjykuese.